UKZ mirëpriti ekipin e ekspertëve për vlerësimin e jashtëm të kualifikimit “Teknik i Inxhinierisë Elektrike” në kuadër të FShA-së
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mirëpriti ekipin e ekspertëve të angazhuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) për realizimin e procesit të vlerësimit të jashtëm të kualifikimit profesional “Teknik i Inxhinierisë Elektrike” sipas Klasifikimit të Profesioneve në Kosovë (KPK), Niveli 5 i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), një program i ri dhe gjithëpërfshirës që është zhvilluar në kuadër të Fakultetit të Shkencave Aplikative në Universiteti Publik Kadri Zeka.
Ky kualifikim profesional është hartuar në përputhje të plotë me Standardin e Profesionit të miratuar nga AKK dhe synon përgatitjen e kuadrove të specializuara në fushën e elektroteknikës, automatizimit industrial dhe teknologjive moderne. Programi është i strukturuar mbi një qasje të integruar ndërmjet teorisë dhe praktikës, duke kombinuar module bazë shkencore, module profesionale dhe praktikë intensive në laboratorë dhe industri, me qëllim që studentët të zhvillojnë njohuri, shkathtësi dhe kompetenca të nivelit 5 sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.
Ekipi vlerësues i AKK-së përbëhej nga ekspertët e fushës Vehbi Neziri dhe Betim Bajoku, eksperti për sigurimin e cilësisë Petrit Hasanaj, si dhe Arjana Mehmeti nga Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve. Qëllimi i këtij procesi ishte vlerësimi i përputhshmërisë së programit me standardet profesionale, kërkesat e tregut të punës dhe kapacitetet institucionale për implementimin e tij.
Vizita filloi me një takim të përbashkët me menaxhmentin e universitetit, ku u prezantua në mënyrë të detajuar institucioni, misioni i tij akademik dhe profesional, si dhe programi i kualifikimit “Teknik i Inxhinierisë Elektrike”. Gjatë këtij sesioni u diskutuan aspektet kryesore të strukturës së programit, përfshirë ndarjen e moduleve, kohëzgjatjen, kreditë ECVET, si dhe lidhja e drejtpërdrejtë e çdo funksioni profesional me rezultatet e të nxënit dhe kërkesat e Standardit të Profesionit KPK 08:3113.
Në vazhdim, ekipi i ekspertëve zhvilloi takime të veçanta me bartësit e programit dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Aplikative. Në këto takime u trajtuan në mënyrë të hollësishme komponentët akademikë dhe profesionalë të kualifikimit, metodologjitë e mësimdhënies, mënyrat e vlerësimit formativ dhe sumativ, si dhe raporti ndërmjet pjesës teorike dhe praktike të programit, i cili është i orientuar në 40% teori dhe 60% praktikë.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e moduleve bazë si Matematika për Inxhinieri Elektrike, Fizika e Energjisë Elektrike dhe Bazat e Elektroteknikës, të cilat shërbejnë si themel shkencor për zhvillimin e kompetencave profesionale në qarqet elektrike, instalimet elektrike, automatizimin industrial, sistemet elektroenergjetike dhe teknologjitë smart si Smart Home dhe IoT. Po ashtu, u vlerësua përfshirja e praktikës profesionale në industri, e cila u mundëson studentëve përvojë reale në kompani dhe institucione të sektorit energjetik dhe industrial.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte inspektimi i laboratorëve, hapësirave mësimore dhe infrastrukturës mbështetëse të universitetit, ku do të zhvillohet procesi i mësimdhënies, vlerësimit dhe certifikimit të kandidatëve. Ekspertët vlerësuan pajisjet laboratorike, instrumentet matëse, kushtet për realizimin e mësimit praktik, si dhe gatishmërinë institucionale për implementimin e programit në përputhje me standardet e cilësisë dhe sigurisë në punë.
Programi “Teknik i Inxhinierisë Elektrike” është i strukturuar në katër semestra dhe përfshin 18 module që mbulojnë fusha të ndryshme të elektroteknikës, nga bazat shkencore dhe instalimet elektrike, deri te automatika industriale, sistemet e kontrollit, projektimi i instalimeve dhe menaxhimi i projekteve. Përmes këtij programi, studentët përgatiten për role profesionale si teknik i elektro-automatizimit, teknik i mirëmbajtjes elektrike, operator i sistemeve industriale dhe mbikëqyrës teknik në sektorin energjetik dhe prodhues.
Në këtë kontekst, Dekani i Fakultetit të Shkencave Aplikative në UKZ Porf. Dr. Xhevdet Thaqi theksoi rëndësinë strategjike të këtij programi për zhvillimin e ofertës akademike të universitetit, duke nënvizuar se ky kualifikim përfaqëson një standard të ri të arsimit profesional në institucion. Ai u shpreh se programi është ndërtuar në mënyrë të tillë që të reflektojë kërkesat reale të tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike në fushën e elektroteknikës, duke mundësuar që studentët të pajisen me kompetenca bashkëkohore dhe të aplikueshme menjëherë në industri.
Gjithashtu, u theksua se programi synon të krijojë një lidhje të fortë ndërmjet arsimit të lartë dhe industrisë, duke garantuar që të diplomuarit të jenë të aftë të kontribuojnë në mënyrë efektive në sektorët strategjikë të energjisë, prodhimit dhe teknologjisë në Kosovë dhe më gjerë.
Në përmbyllje të vizitës, u vlerësua angazhimi i Universitetit Publik “Kadri Zeka” për zgjerimin e ofertës profesionale dhe për forcimin e rolit të tij si institucion i arsimit të lartë i orientuar drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe përgatitjes së kuadrove profesionale të kërkuara në tregun e punës. /2LONLINE/
