UKZ mirëpret studiuesin Konrad Clewing në një ligjëratë për Kosovën dhe politikën evropiane të zgjerimit
Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi sot një ngjarje akademike me studiuesin e njohur ndërkombëtar, z. Konrad Clewing, nga Instituti kërkimor-leibniz për Studime të Evropës Lindore dhe Juglindore (IOS) në Regensburg të Gjermanisë.
Studiuesi Konrad Clewing u prit në takim nga Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku. Rektori shprehu mirënjohje për praninë e studiuesit gjerman dhe theksoi se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të kërkimit shkencor është thelbësor për avancimin akademik të universitetit dhe për krijimin e mundësive të reja për studentët e UKZ-së.
Clewing vlerësoi përparimin e Universitetit, duke theksuar se është mbresëlënës fakti që të rinjtë sot mund të zgjedhin të studiojnë në një institucion publik modern edhe jashtë Prishtinës, një mundësi që nuk ka ekzistuar dekada më parë. Ai e përmendi këtë si një dëshmi të zhvillimit institucional, arsimor dhe shoqëror të Kosovës.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Porf. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Prof. Ass. Dr. Sylë Ukshini, shprehen mirënjohje për z. Clewing që po jep kontribut studimi para studentëve.
Gjatë ligjëratës së tij të titulluar, “Lufta dhe Zgjerimi: Kosova 1998/99 si pikë kthese në politikën e BE-së ndaj Ballkanit”, Clewing argumentoi se edhe pse Kosova sot ka statusin më të kufizuar në raport me BE-në krahasuar me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në vitet 1998/99 situata e krijuar nga lufta në Kosovë ishte pikërisht ajo që e detyroi Bashkimin Evropian të ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit dhe të krijojë një kornizë të re për afrimin e rajonit me strukturat evropiane. Ai theksoi se, Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore (1999), i udhëhequr fillimisht nga Gjermania dhe më pas i adoptuar nga BE-ja, u krijua si përgjigje direkte ndaj konfliktit në Kosovë. Pikërisht përballë krizës së Kosovës, BE-ja për herë të parë përgatiti një perspektivë të qartë integruese për të gjitha vendet e rajonit, pavarësisht sfidave të tyre të brendshme politike. Kosova, ndonëse ende pa status shtetëror në atë kohë, ndikoi në mënyrë të tërthortë por të fuqishme në vendimmarrjen evropiane për stabilizimin dhe integrimin e Ballkanit.
“Pa situatën dramatike të Kosovës në vitet 1998 dhe 1999, Bashkimi Evropian nuk do ta kishte marrë vendimin për t’i ofruar gjithë Ballkanit një perspektivë të re të anëtarësimit”, u shpreh Clewing gjatë ligjëratës.
Ai shtoi se literatura bashkëkohore shpesh e nis analizën e perspektivës së Ballkanit Perëndimor nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, duke “harruar” ndikimin thelbësor të zhvillimeve të vitit 1999.
Clewing foli gjatë edhe për rolin e Gjermanisë në krijimin e politikave të reja evropiane ndaj rajonit, duke theksuar se diplomacia gjermane, sidomos pas ndryshimit të qeverisë në vitin 1998, u bë aktor kyç në definimin e një qasjeje të qëndrueshme, multilateraliste dhe përfshirëse për Evropën Juglindore. Ligjërata u pasua me një sesion të hapur pyetjesh dhe diskutimesh nga studentët dhe stafi i Fakultetit. Pyetjet u përqendruan në rolin e BE-së në konfliktet e viteve të ’90-ta, të ardhmen e procesit të zgjerimit, perspektivën aktuale të Kosovës në politikën evropiane, sfidat konceptuale që dalin nga dallimi midis “Ballkanit Perëndimor” dhe Evropës Juglindore, perceptimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
Clewing i inkurajoi studentët të hulumtojnë më thellë literaturën historike dhe të analizojnë politikën ndërkombëtare duke kapërcyer narrativat sipërfaqësore që shpesh dominojnë në diskursin publik.
Vizita e z. Konrad Clewing dhe ligjërata e tij kontribuan dukshëm në pasurimin e jetës akademike të universitetit, duke sjellë një perspektivë të thelluar evropiane dhe historike mbi ngjarjet kyçe që kanë ndikuar në formësimin e Ballkanit modern. /2LONLINE/
