DYLON

UKZ dhe PH Zug prezantojnë praktikat e mira të mësimdhënies në Fakultetin e Edukimit

UKZ dhe PH Zug prezantojnë praktikat e mira të mësimdhënies në Fakultetin e Edukimit
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të Javës së Studimit Kosovë–Zvicër, që po zhvillohet në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike PH Zug nga Zvicra, është mbajtur një sërë aktivitetesh akademike dhe profesionale që kanë për qëllim shkëmbimin e përvojave ndërmjet mësuesve dhe stafit universitar të të dy vendeve.

Gjatë ditëve të kësaj jave, mësuesit nga Zvicra kanë ndjekur procesin mësimor në shkollat e Gjilanit dhe në Fakultetin e Edukimit të UKZ-së, duke marrë pjesë në ligjërata, punëtori dhe diskutime me kolegët kosovarë. Në të njëjtën kohë, mësimdhënësit e UKZ-së kanë ndarë përvojat e tyre akademike dhe kanë prezantuar modele bashkëkohore të mësimdhënies, duke krijuar një hapësirë të pasur bashkëpunimi profesional dhe ndërkulturor.

EkoHigjiena

Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj Avdiu, nga Fakulteti i Edukimit të UKZ-së, ka mbajtur prezantimin me temën: “Mësimdhënia në Fakultetin e Edukimit, UKZ dhe PH Zug / Shembull i Praktikës më të Mirë nga Programi i Mobilitetit në PH Zug.”

Në prezantimin e saj, Prof. Asoc. Dr. Teuta Agaj Avdiu ndau përvojat dhe njohuritë e fituara gjatë programit të mobilitetit në PH Zug, duke ofruar një pasqyrë të qasjes së mësimdhënies që nxit mendimin kritik, reflektimin pedagogjik dhe bashkëpunimin ndërmjet studentëve dhe mësimdhënësve. Ajo theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave profesionale për ngritjen e cilësisë në arsim dhe për zhvillimin e kompetencave bashkëkohore të mësuesve të ardhshëm.

Aktivitetet e Javës së Studimit në UKZ po realizohen në kuadër të projektit të mbështetur nga Movetia, që ka për synim nxitjen e shkëmbimit profesional dhe ndërkulturor midis mësuesve nga Kosova dhe Zvicra. Ky bashkëpunim përfshin prezantime, ligjërata, punëtori, si dhe vizita shkollore, përmes të cilave po forcohen lidhjet akademike dhe profesionale ndërmjet institucioneve arsimore të dy vendeve.

Më herët gjatë javës, pjesëmarrësit patën rastin të ndjekin edhe prezantimin e Shpresa Jasharit, pedagoge dhe hulumtuese në PH Zug, e cila trajtoi temën “Të flasësh dhe të jesh shqiptar në Zvicër: Zgjedhja e gjuhës, qëndrimet ndaj gjuhës dhe negociimi i përkatësisë hapësinore në rrëfimet biografike”, duke sjellë një këndvështrim të veçantë mbi ruajtjen e identitetit dhe përkatësisë kulturore në diasporë.

Java e Studimit Kosovë–Zvicër 2025 ka nxjerr reflektime nga prezantimet e praktikave më të mira, si dhe planifikime për bashkëpunime të reja në të ardhmen, duke forcuar më tej partneritetin ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe PH Zug, si një model i qëndrueshëm i shkëmbimit profesional ndërkombëtar. /2LONLINE/