DYLON

UKZ dhe OEK organizuan Forumin Ekonomik të Anamoravës 2026

UKZ dhe OEK organizuan Forumin Ekonomik të Anamoravës 2026
Avatar photo Redaksia

Oda Ekonomike e Ekosoves dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizuan Forumin Ekonomik të Anamoravës 2026, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, komunave të anamoravës, biznesit, diasporës dhe organizatave ndërkombëtare.

Në forum, Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, theksoi se zhvillimi ekonomik nuk përcaktohet vetëm nga pasuritë natyrore, por mbi të gjitha nga njerëzit, dija, arsimi, aftësitë, puna dhe inovacioni. Ajo vuri në pah rëndësinë e lidhjes së potencialit njerëzor me mundësitë ekonomike të rajonit dhe theksoi se bashkëpunimi ndërmjet universitetit, komunave dhe biznesit është thelbësor për krijimin e një baze të qëndrueshme zhvillimore. “Kosova ka burime natyrore, por ka edhe një popullatë të re, njerëz të arsimuar dhe profesionistë me potencial të madh. Nëse këto dy anë lidhen mirë mes vete, atëherë kemi një bazë shumë të mirë për zhvillim. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes Universitetit, Komunës dhe Biznesit është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Rektorja Malaj. Ajo theksoi se për të tërhequr investime nuk mjafton vetëm të evidentohen nevojat, por duhet të dokumentohen dhe prezantohen qartë mundësitë reale që ofron rajoni. “Duhet të jemi në gjendje të themi: këtu ka treg, ka njerëz, ka dije, ka mundësi dhe ka potencial për rritje. Kur interesi i rajonit për zhvillim përputhet me interesin e biznesit për fitim dhe rritje, atëherë krijojmë bazën për investime të rëndësishme.” Në këtë kontekst, Rektorja Malaj foli edhe për rolin e diasporës së Anamoravës, duke theksuar se ajo duhet parë jo vetëm si burim i remitencave, por si partner për investime, dije, teknologji dhe lidhje me tregjet evropiane. Rektorja Malaj theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” e sheh veten si një urë lidhëse ndërmjet dijes, studentëve, komunitetit dhe sektorit ekonomik.  “Nëse universiteti, komuniteti dhe bizneset punojnë bashkë dhe nëse në këtë bashkëpunim përfshihet edhe diaspora, mund të krijojmë më shumë investime, më shumë mundësi për bizneset dhe më shumë perspektivë për të rinjtë. Qëllimi duhet të jetë që Anamorava të mos shihet vetëm si një rajon që kërkon investime, por si një rajon që ofron mundësi reale për investitorët,” tha ndër tjersha Rektorja znj. Fitore Malaj.

EkoHigjiena

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se Kosova dhe Anamorava kanë potencial për investime në prodhim e përpunim, agrobiznes, turizëm, energji dhe sektorë të tjerë. Ai theksoi rëndësinë e partneriteteve ndërmjet sektorit publik, biznesit dhe diasporës për krijimin e vendeve të reja të punës.

Ndërkaq, Drjetues të Ministrive përkatëse në Qeverinë e Republikës së Kosovës, thanë se zhvillimi rajonal fillon nga rajoni, duke vlerësuar potencialin e Anamoravës dhe rolin e investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimin e bizneseve. Ata veçuan Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe studentët e tij si burim të rëndësishëm të kapitalit njerëzor dhe si urë lidhëse ndërmjet arsimit dhe sektorit ekonomik.

Në forum morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arianit Sadiku, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, të cilët prezantuan potencialet dhe mundësitë për investime në komunat përkatëse.

Dekani i Fakultetit Ekonomik të UKZ-së, z. Xhevat Sopi, prezantoi potencialin dhe mundësitë për investime në Rajonin e Anamoravës.

Pas fjalimeve, u zhvillua paneli diskutues për zhvillimin ekonomik të rajonit, i kryesuar nga Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, në UKZ z. Nexhat Shkodra, ku u diskutua për sektorët me potencial, projektet konkrete, mundësitë për investime dhe bashkëpunimin me bizneset dhe diasporën.

Forumi u përmbyll me takime B2B ndërmjet studentëve të UKZ-së, bizneseve, diasporës, institucioneve dhe komunave, me synim krijimin e partneriteteve dhe mundësive të reja për punë dhe investime.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit HOME – Mundësi Holistike për Angazhimin e Migrantëve dhe Diasporës, nga Caritas Zvicër dhe me financim të Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit, si dhe me sponsorizimin e Vali Ranch Resort dhe PriBank. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.