DYLON

UKZ dhe Komuna e Gjilanit diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit institucional

UKZ dhe Komuna e Gjilanit diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit institucional
Redaksia

Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Fitore Malaj, priti në takim Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me ekipin e tij. Në takim morën pjesë edhe prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm i UKZ-së.

Kryetari Alban Hyseni e uroi Rektoren Fitore Malaj për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

EkoHigjiena

Një ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte ndërtimi i kampusit të ri të UKZ-së, përfshirë identifikimin e lokacionit, planifikimin e projektit dhe mundësitë e financimit.

Rektorja Fitore Malaj theksoi se ndërtimi i kampusit të ri është një nevojë e domosdoshme për Universitetin dhe se kjo është koha e duhur për të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Ajo vlerësoi se objekti aktual i Universitetit, i cili fillimisht ka shërbyer si Shkollë Normale e më pas si Shkollë e Lartë Pedagogjike, e tani Universitet, përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së arsimit në Gjilan dhe duhet të ruhet e restaurohet. Megjithatë, sipas saj, nevojitet ndërtimi i një objekti shtesë, i cili do t’i përgjigjej kërkesave dhe nevojave aktuale të Universitetit.

Në takim u diskutua që, krahas përcaktimit të lokacionit, të fillojë edhe planifikimi konkret për ndërtimin e objektit të ri, duke përfshirë shqyrtimin e modeleve të mundshme të financimit.

Bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe Komunës së Gjilanit u diskutua edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, si shkëmbimi i studentëve dhe stafit, hulumtimi shkencor, praktika pedagogjike dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve.

Në këtë kuadër, u theksua mundësia që ekspertiza akademike e profesorëve të UKZ-së të vihet në funksion të nevojave konkrete të Komunës së Gjilanit, përmes hulumtimeve dhe projekteve që adresojnë çështje dhe nevoja reale të komunitetit.

Po ashtu, u diskutua mundësia e angazhimit të studentëve në projekte konkrete dhe krijimit të mundësive për praktikë të paguar, si një mënyrë për t’i lidhur më ngushtë studimet universitare me tregun e punës dhe nevojat e institucioneve.

Në takim u trajtua edhe strategjia e re e arsimit, me theks të veçantë në forcimin e edukimit profesional krahas atij akademik, si dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme përmes ekspertizës së stafit akademik të UKZ-së.

Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe realizimit të nismave konkrete në funksion të zhvillimit të arsimit, avancimit të Universitetit dhe fuqizimit të lidhjes ndërmjet universitetit, komunës dhe komunitetit. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.