UKZ dhe Kolegji Universitar “Qiriazi” nisin zbatimin e programit të shkëmbimit të stafit akademik
Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Kolegjit Universitar “Qiriazi”, u zhvillua një takim pune ndërmjet rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Dr. Artan Dermaku, dhe rektorit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, me qëllim të koordinimit të hapave konkretë për zbatimin e marrëveshjes në fushën e shkëmbimit të stafit akademik.
Gjatë takimit, palët u dakorduan që, duke filluar nga semestri dimëror i vitit akademik 2026/2027, të realizohet shkëmbimi i gjashtë profesorëve. Sipas marrëveshjes, tre profesorë nga fusha të ndryshme të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Tiranë, do të angazhohen në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ndërsa tre profesorë nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të zhvillojnë veprimtarinë e tyre akademike në Kolegjin Universitar “Qiriazi”.
Profesorët e përfshirë në këtë program do të mbajnë ligjërata në lëndë të ndryshme, në përputhje me fushat e tyre të ekspertizës, për një semestër akademik. Ky angazhim synon të nxisë shkëmbimin e përvojave profesionale, të kontribuojë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të forcojë bashkëpunimin akademik ndërmjet dy institucioneve.
Zbatimi i këtij programi shënon një hap të rëndësishëm në funksionalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, duke promovuar mobilitetin akademik, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme në funksion të avancimit të cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor. /2LONLINE/
