DYLON

Ukshin Hoti – simbol i madh intelektual e atdhetar

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Drilon MILAZIMI

(2L ONLINE) – Zhvillimet e mëdha shoqërore, kudo në botë, realizohen si rebelim i rinisë, si shprehje e fuqisë shndërruese që bartë brezi i ri, si nevojë e domosdoshme e shoqërive për liri dhe zhvillim.

EkoHigjiena

Kosova në këtë prizmë shikimi nuk shënon përjashtim. Pothuajse në të gjitha zhvillimet e mëdha të luftës sonë për liri e dinjitet nacional, së paku nga viti 1945 e këndej, rinia ishte pishtari që digjej, me qëllim realizimi të aspiratave nacionale.

Në këto zhvillime të njohura të përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë, më 1968 a 1981, 1989-1990 e deri te organizimi dhe fillimi i Luftës nën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhet theksuar pa drojë, se të rralla janë rastet kur intelektual të shtresës së lartë hapur dolën në mbështetje a angazhim të drejtpërdrejtë të aspiratave e zhvillimeve nacionale.

Nuk ka asnjë dyshim se Ukshin Hoti, studenti i Zagrebit, Beogradit e Harvardit; profesori i Universitetit të Prishtinës, intelektuali i jashtëzakonshëm, dhe mbase njohësi më i mirë ndër ne i politikave gjeostrategjike ndërkombëtare, përfshirë ato rajonale…dhe kjo duhet thënë pa farë ndjeshmërie…është ndër të paktit intelektual që nga viti 1981, hapur e pa ekuivoke u pozicionua me tërë qenien e tij intelektuale e fizike në shërbim të popullit të tij dhe ëndrrës për liri. Ai si askush tjetër nga “elita intelektuale” nuk i bishtnoj thirrjes së atdheut të tij, respektivisht thirrjes së rinisë studentore, në angazhim konkret, aktiv e sakrifikues për të drejtat e popullit të tij.


UKSHIN HOTI

Kështu ai fuqishëm u bë simbioza më madhështore e atdhetarit dhe intelektualit të përkushtuar; flamur i parë mes flamujsh që u përplasën me dhunën e barbarinë e pushtetit serbo-jugosllav të kohës. Njëkohësisht, ai bashkë me Adem Demaçin u bë njeriu që ngjallte shpresë për rrugën e nisur tek brezi i ri.

Në një anë kemi Ukshin Hotin filozof e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare ku dominon vetëdija kritike e interpretimit, referencat e shumta e gjuha e argumentit.

Në anë tjetër kemi Ukshin Hotin politikan e atdhetar, në ç’drejtim ishte gati të shkrinte gjithë qenien e tij, fillimisht duke u përballur me cilindo mendim politik që topiste idenë atdhetare e luftën për liri dhe pastaj me angazhimin konkret në këto përpjekje si publicist, në Slloveni në fillim të të 90-ve të shekullit të kaluar në revistat “Alternativa”, “Republika” e “Demokracia autentike”. Në këtë përpjekje atë e shohim politikan në LDK-në e formuar në fund të viitit 1989, po që do ta braktis atë më 1993, pasi kërkesa e tij e luftës për liri, respektivisht pikëpamjet e tij politike nuk harmonizoheshin dot me politikën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës, sepse “durimi’ i proklamuar atëherë për Ukshin Hotin ishte përulje dhe nënshtrim, dhe ai nuk kishte lindur e as ishte formuar për t’u nënshtruar a përulur.

Pos shkrimeve publicistike, Ukshin Hoti botoi dy vepra të rëndësishme për disa shkenca shoqërore: “ Lufta e ftohtë dhe detanti” më 1975, ku me gjuhë të argumentuar e referenca të panumërta, ashtu si edhe me stil të jashtëzakonshëm imponues, arrinë të sjellë para shqiptarëve atëbotë komplikueshmërinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe raportet e gjithanshme të tyre si një luftë ndryshe e fuqive botërore, që nuk shihej lehtë nga syri i zakonshëm.

Më 1995, Ukshin Hoti boton edhe librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare’, libër që dëshmon gjithë bindjet e angazhimet e tij, gjithë besimin e fuqinë intelektuale, shkencore e atdhetare të tij…libër që dëshmon madhështinë e një njeriu që qëndron mbi të tjerët në filozofinë politike po edhe në dashurin për vendin e tij.

Me shkrimet e tij Ukshin Hoti është tamam shkencëtar, ndaj përkundër angazhimit të tij praktik, atdhetar e politik, ai nuk u nënshtrohet emocioneve në shikimin e çështjes sonë nacionale dhe politikës shqiptare në këtë drejtim. Duhet shtuar këtu, se kur ky libër botohej, më 1995, Hoti po vazhdonte të mbahej në burgjet serbe, sepse ishte pikërisht ai rreziku që do ta ndezte rininë shqiptare në luftën për liri, prandaj Serbia nuk e duronte jashtë, të lirë e të angazhuar në këtë drejtim.

Ukshin Hoti, duke qenë intelektual i nivelit të lartë, mundej fare lehtë të bënte jetë të qetë intelektuale; të punonte si profesor fillimisht dhe pastaj të vazhdonte angazhimin politik në LDK, pas vitit 1990. Ama, vetëdija e ndërgjejgja e tij nuk i lejuan që të përcaktohej për këtë rrugë, po të zgjedhte atë të vështirën; rrugën e konfrontimit e përballjes me vështirësitë e rreziqet. Ai ishte i vetëdijshëm për të gjitha, por ai kishte guxim të jashtëzakonshëm që të përballet me vështirësitë, dhunën e rreziqet. Ai u burgos e u dënua me 9 vite burg pas vitit 1981, po nuk u ndalua fuqia e mendjes së tij dhe fuqia luftuese e shpirtit të tij, ndaj u burgos më 1994 sërish, për t’u dënuar me pesë vite burg, sepse synonte ndryshim të kursit organizativ të shqiptarëve në Kosovë në luftën për liri. U burgos e dënua sërish, sepse nuk ndalej ndryshe; mund të vritej si vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha..apo mund të mbyllej brenda në qeli e t’i mbyllej goja. Po edhe nga aty, Ukshin Hoti me trashëgiminë shkrimore që kishte lënë pas, me shpirtin e tij prej çlirimtari e me fuqinë besuese në mendjen e tij, ishte i rrezikshëm.

Prandaj, më 16 maj 1999, fati tij do të ngjyrosej me të panjohurën. I vrarë, i zhdukur apo ende diku në burgjet e Serbisë. Ai kudo dhe kurdo ishte pengesë. Me të Serbia po vriste mendjen më të ndritur të politikës e angazhimit atdhetar shqiptar në Kosovë, prandaj s’mund ta linte të lirë, prandaj s’mund t’ia kthente Kosovës, bile as të vdekur. Edhe si i tillë ai do bënte jehonë.

Ka të drejtë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, kur thekson se pikërisht madhështia e madhësia e tij ishin edhe fatkeqësia e tij. Në fakt ai nuk u besonte fatkeqësive, sepse ishte gati të vdiste për vendin e vet, për njerëzit e këtij vendi. Fatkeqësia është e të gjithë neve që nuk e kemi më në mesin tonë, në këto kohë ende të trazuara, veçanërisht në drejtim të organizimit politik. Jemi fatkëqinj të gjithë ne që nuk e njohim sa është dashur ta njohim këtë kolos të mendimit tonë politik e atdhetar të dekadave të fundit të shekullit të kaluar në drejtim emancipimi politik e atdhetar. Sikur dikujt ende i pengon të njihej, ashtu siç me dekada ishte bërë pengesë për dike. Tashmë të gjithë jemi veshur me petk patriotik, ndaj, Ukshin Hoti mund të na duket i panevojshëm, ashtu siç dikur dukej “rebel” e i papërshtatshëm, sepse u prishte qetësinë shpirtërore atyre që gojën e kishin plot atdhe e gogësima. Të tillët ende sot “mbyten” në kolltuqe. Duket se ndërgjejgja nuk vret askënd, se ndryshe shumëkush, tashmë do ishte i vdekur.

Ukshin Hoti, kjo simbiozë madhështore e mendimtarit e atdhetarit, ishte e mbetet hero, ndaj dikujt emri i tij gjithnjë do t’i mbetet në fyt. Deri atëherë, të gjithë ne kemi obligim jo ndaj Ukshin Hotit, po ndaj vetes sonë që ta njohim fatin e tij, qoftë edhe fundin e tij, sepse nuk kam asnjë dyshim, se ai siç e pati jetën, nuk mund ta kishte ndryshe as fundin e supozuar. Madhështor. /2L ONLINE/

/Autori është student i vitit të parë në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, drejtimi Juridik i përgjithshëm/