Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s kërkon shtyrjen e kongresit të FIFA-s dhe të zgjedhjes së presidentit të saj, deklaroi sot në Varshavë sekretari i përgjithshëm i institucionit evropian të futbollit, Gianni Infantino pas skandalit të ri të korrupsionit që ka goditur instancën më të lartë të futbollit botëror.
“UEFA konsideron se kongresi i FIFA-s duhet të shtyhet, në ndërkohë që duhet të shtyhet edhe me gjashtë muaj zgjedhja e presidentit të ri të saj, parashikuar për të premten”, deklaroi Infantino, transmeton AFP.
Gjashtë zyrtarë të botës së futbollit, të dyshuar për korrupsion, u arrestuan sot në Zyrih me kërkesë të autoriteteve amerikane, theksuan autoritetet zvicerane, dy ditë nga zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, ndërkohë që presidenti Joseph Blatter kandidon për një mandat të pestë.
“Policia zvicerane arrestoi gjashtë funksionarë të futbollit me kërkesë t ë autoriteteve amerikane. Përfaqësues të medias sportive dhe kompanive të marketingut sportiv ishin të përfshirë në pagesat për funksionarët e lartë të organizatave futbollistike (të deleguarit e FIFA-s dhe persona të tjerë që i përkisnin organizatave të anëtarësuara në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit) në këmbim të të drejtave mediatike dhe të drejtave të marketingut në kompeticionet e organizuara në SHBA dhe Amerikën e Jugut”, theksoi Ministria zvicerane e Drejtësisë në një komunikatë.
“Ata dyshohen se kanë marrë shuma disa milionëshe nga vitet 1990 deri në ditët tona”, theksojnë autoritetet zvicerane.
http://www.rtklive.com/?id=4&r=32124