(2;ONLINE) – “Atë që nuk e bëjmë nuk mund ta bëjmë. Por nuk mund të mos e bëjmë atë që mund ta bëjmë”. Me këtë thënie po e ngrisim shqetësimin tonë për mos funksionimin dhe kompletimin e Komiteteve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale tregon qartë se Kuvendi I Komunës themelon komitete tjera për të cilat konsideron se janë të nevojshme për kryerjen e përgjegjësive të tyre (neni 51.2 i LVL). Ndërkaq, Kuvendi I Komunës ë Gjilanit akoma nuk ka funksionalizuar komitetet përkatëse, të cilat janë trupa ndihmëse dhe profesionale të Kuvendit.
Që një kuvend të jetë sa me efikas në punën e tij, ai duhet që përmes Komiteteve të bëj shqyrtimin detal të politikave, vendimeve, rregulloreve, mbikëqyrjen e aktiviteteve të degëve ekzekutive, shqyrtimin dhe raportimin e çështjeve politike si kundër që bëjnë edhe hetime speciale. Mirëpo nuk mund të justifikohet në asnjë mënyre ky prolongim i mos funksionalizimit të komiteteve, dhe në këtë drejtim duhet të japin përgjegjësi në radhë të parë kryesuesi i Kuvendit dhe kryetari i komunës si kundër edhe partia që udhëheq më komunën. Pse nuk po ecë puna ashtu siç e kërkon ligji, pse po i ngadalësojmë dhe vështirësojmë gjërat, pse nuk po ecim me kohë, çka po ndodh kështu?! Nuk duhet të vetëkënaqemi me rezultatin e zgjedhjeve dhe të vetënumërojmë në vend, kur tashmë kanë kaluar tre muaj. Nuk është e hijshme, as e lëvdueshme, por edhe ligjore, që edhe më tej Kuvendi i Komunal i Gjilani të mos kompletohet me Komitete dhe trupa tjerë përcjellëse. Në realitet nuk është diçka befasuese , ky moskompletim i komiteteve për Gjilanin, për faktin se edhe drejtorët që janë emëruar në drejtoritë përkatëse ende nuk janë akomoduar si duhet, meqë nuk kanë më shumë se një javë që janë emëruar.
Padyshim se çdo komitet e ka rëndësinë e vet, e veçmas ai për Politika dhe Financa, mirëpo është 7 Marsi – Dita e Mësuesit, festë e cila do ta gjej komunën e Gjilanit pa e formuar Komitetin e Arsimit. A do kjo koment?!
Derisa 7 Marsi, Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjitha trojet tona shqiptare, kurse organet relevante të komunës duhet të jenë në finalizimin e të gjitha përgatitjeve për ketë festë të mësuesve, në anën tjetër Komiteti për Arsim i Kuvendit të Komunës nuk është formuar ende. S’do mend se për këtë moskrijim të Komitetit për Arsim nuk do të duhej të ndihej mirë as drejtori i Arsimit në Gjilan si dhe asnjë punëtorë arsimor.
Ndërkohë që të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit komunal tashmë i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në çdo Komitet, mirëpo pikërisht janë drejtuesit e komunës që nuk brengosen fare për të kompletuar sa më parë të gjitha organet e Kuvendit. Edhe kjo nuk do koment?! Kësaj udhëheqje të komunës fare nuk po i ngutet, ama bash nuk po i ngutet.
Shpresojmë se në ditët në vijim, drejtuesit më të lartë të komunës do të kthjellen përnjëmend dhe t’i rreken punës me një seriozitet dhe përkushtim të pashoq, sepse koha nuk pret, ajo po ecë, e punët po ngelin pa u krye.
Fehmi SYLEJMANI
(Autori është anëtar i kuvendit Komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje!)