U zbulua buceta e shtatores së legjendës Fadil Vokrri

U zbulua buceta e shtatores së legjendës Fadil Vokrri

Në praninë e Kryeministrit Avdullah Hoti, Ministres për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, presidentit të FFK-së, Agim Ademi dhe familjarëve, bashkëlojtarëve e miqve të shumtë të Fadil Vokrrit, është bërë zbulimi i bucetes kushtuar Legjendës.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi theksuan se shpresojnë që së shpejti të grumbullohen edhe për përurimin e shtatores së Fadil Vokrrit.

Dumoshi zbuloi se vlera e shtatores do të kushtojë 49 mijë euro dhe do të jetë 3 metra e gjatë, derisa hapësira se ku do të vendoset ajo do të diskutohet në mes Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Sot do ta prezantojmë bucetën, ndërsa shumë shpejt do të përurohet edhe shtatorja e Fadil Vokrrit. Vetë prezenca e kryeministrit Hoti tregon mbështetjen e tij për sportin”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Urimit që së shpejti të përurohet edhe shtatorja iu bashkua edhe kryeministri Avdullah Hoti, i cili tha se para asaj shtatore në të ardhmen do t’i përulen shumë sportistë e legjenda të sportit.

“Me të vërtetë është një moment i veçantë për ne që jemi rritur me legjendën e futbollit, ia kemi borxh familjes së tij për t’i treguar të gjitha nderimet për këtë legjendë që ka shkruar histori. Pa dyshim, Vokrri mbetet legjendë edhe për brezat që vijnë. Ne të gjithë jemi të nderuar që sot po e bëjmë zbulimin e bucetës për shtatoren e Vokrrit, para së cilës në të ardhmen do të përkulen sportistë dhe legjenda të ardhshme të futbollit”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ndërkaq, djali i ish-presidentit Vokrri, Gramozi, duke i përshëndetur të pranishmit theksoi se kjo “është një ditë e veçantë. Në emër të familjes, më lejoni të ju falënderojë të gjithëve. Sot më vjen mirë qe futbolli na bashkon edhe në kohë pandemie. Edhe sot po e shoh më shumë sesa kurrë që as në dhimbje nuk jam i vetëm”, deklaroi i biri i legjendës.

KOMENTE