DYLON

U shpallën më të mirët e “Flakës së Janarit 2023”

U shpallën më të mirët e “Flakës së Janarit 2023”
Avatar photo Redaksia

Me Gala mbrëmjen e organizuar në përmbyllje të “Flakës së Janarit 2023” janë përzgjedhur më të dalluarit në të gjitha shtyllat e këtij Manifestimi Kulturor, i cili mblodhi artistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Në këtë ceremoni, Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e komunës së Gjilanit, në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka theksuar se familjet Zeka, Mala, Berisha dhe familjet e dëshmorëve të tjerë meritojnë mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e dhënë për liri.

EkoHigjiena

Ajo tha se gjatë këtij muaji, Gjilani ishte identiteti i artit, kulturës, muzikës, dramës dhe i të gjitha shtyllave për të cilat kontribuuan të gjithë e ajo i ka falënderuar të gjithë organizatorët e pjesëmarrësit, ngase Gjilanit i dhanë hapësirë të madhe që të bashkojë të gjitha trevat shqiptare.

Ajo tha se për më shumë se tri dekada, Gjilani identifikohet me “Flakën e Janarit”, andaj në këtë Gala Mbrëmje ajo paraprakisht ka përgëzuar të gjithë ata që do të shpërblehen. Ajo ka uruar që “Flaka e Janarit” të shndrit e të flakojë edhe me vite të tëra e më së shumti merita për këtë kanë ata që dhanë më të shtrenjtën për liri.

Në shtyllën e artit dramatik “Talia e Flakës” më të mirët që u shpalën ishin:

Jeton Neziraj për tekstin më të mirë në shfaqjen “Babai dhe babai”.

Erson Zymberi, regjia më e mirë në shfaqjen “Burrneshat”.

Adem Karaga, aktori më i mirë, që luajti në shfaqjen “Nyjat”

Shfaqja më inovative teatrore “Fausti” dhe

Shfaqja më e mirë e Festivalit të Dramës Shqipe u shpall shfaqja “Babai dhe babai”.

Në këtë mbrëmje janë përzgjedhur edhe më të mirët e Festivalit të Këngës për Fëmijë “Xixat e Flakës”.

Vendin e parë e zuri solistja Olza Rashani me këngën “Heroi”, vendin e dytë e zuri Erta Hasani, që i ka kënduar Kosovës, kurse i treti doli Demush Sejdiu, që ka kënduar këngën “Heroit Agim Ramadani”.

Në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka” më të mirët u shpallën: Vendi i parë, Greta Azizi, që ka këndur këngën “Rrisim jetën tonë”. Vendin e dytë e zunë Anesa Bunjaku – “Kroi i fshatit tonë” dhe Mesut Bajrami – “Vajzë me kaçurrela”, kurse vendin e tretë e zunë Rina Kurteshi – “Albulena” dhe Arbër Maliqi – “Këngë bashkimi”.

U shpallën edhe enigmatët më të mirë të “Flakës së Janarit”, të cilët kanë konkurruar në dy kategori. Në zgjidhjen e enigmave i pari ishte Ekrem Krasniqi, i dyti – Agim Ajvazi, kurse i treti ishte NIjazi Ismajli. Në përpilimin e enigmave i pari doli Rexhep Hasani, i dyti – Fazli Berisha dhe i treti – Ekrem Krasniqi.

Çmimet i ka ndarë edhe juria vlerësuese për “Penelin e Flakës”, ku Çmimi blerës i Galerisë iu dha Xhevdet Dulajt për pikturën e tij “Kreshniku i Maleve”. Për “Penelin e Flakës 2023”, çmime morën edhe Merita Myderrizi – Maloku – “Peizazh” dhe Lirika Kastrati – “Njollë mbi njollë”.

Poezia më e mirë e orës letrare u zgjodh ajo e Ramë Oracës – “Rapsodi për tri dhembje”, derisa në konkursin letrar në poezi u ndanë këto çmime: Vendi i parë: “Për ty”, shifra: Safo, Vendi i dytë: “Na t’atëhershmit”, shifra: 0803, Vendi i tretë: “Nëse më kishe dashtë”, shifra: Unë Hamleti

Në prozë: Vendi i parë nuk është dhënë, Vendi i dytë: “Zbardhëllimë” – shifra: Udhërrëfyesi dhe Vendi i tretë: “Bineqtë” – shifra: L’keni i Hasit. Emrat e fituesve në konkursin anonim do të bëhen të ditur pasi që të deshifrohen me sjelljen e kopjes së tretë.

Çmimet për më të mirët i ndanë pjesëtarë të familjes Mala, Berisha e Zeka, udhëheqës shtetërorë e komunalë dhe krijuese e artistë të njohur.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2023” është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës, Alban Hyseni, me përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, që udhëhiqet nga drejtori Kushtrim Zeqiri. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.