(2LONLINE) – Organizuar nga Drejtoria për kulturë, Rini e Sport dhe Klubi i gazetarëve Kerim Lewton në Viti, është mbajtur sot tryeza e rrumbullakët me temë “Liria e shtypit, themel i demokracisë” me të cilën edhe është shënuar 3 Maji-Dita ndërkombëtare e Lirisë së shtypit.
Me këtë rast morën pjesë personalitete të shquara të gazetarisë kosovare, udhëheqës komunal, kler fetar dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Të pranishmit në këtë tryezë, kanë vlerësuar rëndësinë e madhe që kanë mediat si dhe rolin e saj në demokratizimin e vendit, pavarësinë mediale, ndikimet politike, profesionalizmin, efektshmëria në civilizimin e shoqërisë etj
Rrahman Paqarizi kryetar i Bordit të Radio Televizionit Publik të Kosovës ka theksuar se Liria e mediave në kosovë, ka ndryshuar paksa në aspektin pozitiv duke u ngritur në një rang më të lartë sa I përket lirisë së shprehjes, ndërkohë ka theksuar nevojën për ngritje të shkallës së profesionalizmit. “Media kosovare nuk ka ndejtur duarkryq dhe në planin e demokratizimit të shoqërisë dhe impaktit shoqërore e institucionale dhe për këtë mediat e Kosovës duhet përgëzuar për punën që kanë bërë deri më sot.
Ndërkohë profesionalizmi, niveli i pavarësisë nga grupet e interesit politik dhe ekonomik ende lenë shumë për tu dëshiruar. Paqarizi më tej theksoi se janë disa sfida që edhe më tej do të ballafaqohet media kosovare, duke përmendur problemet financiare që determinon dhe përcakton shumëçka edhe sa i përket politika editoriale e sidomos pavarësisë editoriale.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti si nikoqir i këtij takimi, duke marrë fjalën ka thënë se në këtë ditë duhet përkujtuar gjithë ata gazetarë që për lirinë e shtypit dhe për pasqyrimin e së vërtetës dhanë më të shtrenjtën jetën.
Për lirinë e shtypit duhet të kontribuojmë të gjithë si nivelin qendror, po ashtu edhe i gjithë spektri i shoqërisë sonë si politik e institucional. Andaj ndihem i nderuar edhe për faktin se kjo tryezë po organizohet në komunën tonë. Ndërsa duke folur për qëllimin e kësaj tryeze, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport Kaltrina Sylejmani, theksoi se kemi vendosur për të organizuar këtë takim për të respektuar ditën botërore të lisirsë së shtypit dhe për të respektuar gjithë gazetarët që e kryejnë detyrën e tyre me përkushtim të thellë e posaçërisht për ti nderuar ata që kanë rënë në detyrë siç kemi rastin e Kerim Lewtonin, reporterit të Asociated Press.
Ndërsa Dom Lush Gjergji e ka ndarë lirinë e të shprehurit në liri të fituar dhe të dhuruar. Ai është shprehur më tej se I mungon gazetarisë sonë që njerëzit të kenë identitetin, ta kenë personalitetin, të jenë në shërbim të së vërtetës. Në këtë tryezë folën edhe gazetarët Shaqir Foniqi, Besim Abazi, Fehmi Ajvazi , përfaqësues të shoqërisë civile në Viti etj. Gazetarët e shoqëruar nga Institucionet komunale, klerët fetar dhe shoqërisë civile, kanë vendosur lule edhe në memorialin e gazetarit Kerim Lewton në Viti./2lonline/