DYLON

U promovua Libri i xhepit i OBSh-së “Kujdesi spitalor për fëmijë”

Avatar photo Redaksia

Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë zhvilloi sot një punëtori me pediatër dhe infermierë të Klinikës së Pediatrisë së QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme, ku u promovua Libri i xhepit të OBSh-së “Kujdesi spitalor për fëmijë”, që është një udhërrëfyes për menaxhimin e sëmundjeve të rëndomta të fëmijërisë.

Gjithashtu, po në këtë punëtori, nga OBSh dhe MSh u bë edhe shpërndarja e Kartës së të Drejtave të fëmijëve në spital, dokument ky i promovuar më 1 qershor në MSH që ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore në kujdesin spitalor.

EkoHigjiena

Punëtoria e mbajtur iu dedikua në mënyrë primare promovimit dhe përdorimit të Librit të Xhepit të OBSh-së i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i përshtatur për kontekstin kosovar nga grupi i ekspertëve vendor të pediatrisë, ndërkohë që pjesëmarrësit në punëtori, të ndarë në grupe, kanë prezantuar raste konkrete të menaxhimit të rasteve pediatrike, duke përdorur udhëzimet që i përmban ky libër.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë ka përshëndetur të pranishmit në punëtori duke vlerësuar angazhimin e tyre për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në shërbimet pediatrike dhe ka shprehur bindjen se Libri i xhepit do të jetë një udhërrëfyes që do t’i ndihmojë profesionistët në punën e tyre në menaxhimin e sëmundjeve të ndryshme te fëmijët.

Dr. Ramush Bejiqi, kryetar i Shoqatës së Pediatërve të Kosovës ka kërkuar që komuniteti i pediatrisë në Kosovë të rris angazhimet dhe përgjegjësinë e tyre, me qëllim që rezultatet në menaxhimin e sëmundjeve të fëmijëve të jenë dukshëm më të mira se që janë tani.

Dr. Merita Vuthaj, shefe e Divizionit të Nënës dhe Fëmijës në MSh ka falënderuar OBSh-në për përkrahjen, përkthimin, adaptimin dhe botimin e këtij libri dhe bashkëpunimin në avancimin e shërbimeve pediatrike në Kosovë.

Krahas promovimit të Librit të xhepit dhe Kartës për të Drejtat e Fëmijëve në spital, pritjet e punëtorisë ishin që secili institucion të zhvillojë një Plan veprimi për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore spitalore për fëmijë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.