U prezantuar rrejshëm si inspektor, do të ballafaqohet me drejtësinë

U prezantuar rrejshëm si inspektor, do të ballafaqohet me drejtësinë

U prezantua rrejshëm te një biznes gjoja se është inspektor, duke kërkuar para për rregullimin e dokumentacionit për regjistrimin e biznesit në procedurë të përshpejtuar, në të kundërtën do t’ia shqiptonin një gjobë të majme, por autoritetet policore kanë vepruar dhe se tani i dyshuari do të përballet me drejtësinë për “Prezantim të rrejshëm”, pasi ndaj tij është ngritur kallëzim penal, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, duke folur për rastin ka bërë me dije se i dyshuari kishte shkuar në fshatin Rogoqicë, komuna Kamenicë, te një lokal-biznes ende i paregjistruar ku kishte kontaktuar punëtoren e këtij lokali, duke iu prezantuar si inspektor i nivelit qendror, me emrin Engjëll Shkodra.

Hashani tha se nga punëtorja ka kërkuar para në vlerë prej 400 euro, për rregullimin e dokumentacionit për regjistrimin e biznesit në procedure të përshpejtuar, në të kundërtën gjoba për mos regjistrim, pas tri ditësh, do t’i kushtoj 11 mijë euro, gjobë të cilën do t’ia shqiptonte vet ai me kolegët e tij.

“Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve në Kamenicë pas informatave të marra përmes rrugëve operative e kanë identifikuar të dyshuarin, B. Sh. (1989), me vendbanim në Gjilan dhe gjatë intervistimit, në bazë të procedurave ligjore, është vërtetuar se ai ishte prezantuar rrejshëm”, ka thënë zëdhënësi Hashani.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, me kallëzim për veprën penale “Prezantim i rrejshëm”

Rasti procedohet në Prokurorinë Themelore. /2LONLINE.com/

KOMENTE