/2L ONLINE/ – Sot, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, është përuruar projekti i rrjetit të ujësjellësit për 5 fshatra të Komunës së Vitisë ( Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik). Ky projekt që kap shumën prej rreth 740 mijë eurove, u realizua nga të hyrat vetanake të Komunës së Vitisë dhe në mbështetje të Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë si dhe Qeverisë së Kosovës.
Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti krahas kryetarit të Komunës së Vitixsë, Sokol Haliti si dhe përfaqësuesve tjerë të institucioneve komunale, marrën pjesë edhe zonja Besa Zogaj-Gashi – zëvendësministre e Zhvillim Ekonomik të Qeverisë së Kosovës, z. Bernhard Soland – zëvendës drejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë në Kosovë, si dhe përfaqësues nga partneri implementues CDI-së, kompanisë rajonale për ujësjellës “Hidromorava” etj.
Kryetari i Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti pasi ka theksuar se përurimi i këtij projekti ka një rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane, pasi ata pas shumë vite pritjesh po bëhen me ujë të pijes, ka thënë se ky projekt që kap shumën prej 746 mijë e 203 eurove, është realizuar falë një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm të institucioneve komunale të Komunës së Vitisë , Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë si dhe Qeverisë së Kosovë.
“Projekti i ujësjellësi për 5 fshatrat e kësaj ane është një nga projektet më të rëndësishme që si qeveri komunale kemi finalizuar së fundmi, pasi përmes këtij projekti kemi bërë zgjidhjen e problemit të ujit të pijes për mbi 8 mijë banorë të fshatrave Sllatinë e Epërme Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik “, ka thënë kryetari Haliti.
Ai ka thënë se qeveria komunale në Viti, gjatë këtij mandati qeverisës krahas këtij projekti, i ka dhënë rëndësi të madhe edhe realizimit të projekteve tjera që lehtësojnë jetën e qytetarëve të Komunës së Vitisë, ku në saje të mjeteve nga të hyrat vetanake, nga grandet qeveritare dhe bashkëpunimi me donator të ndryshëm vetëm gjatë kësaj periudhe të vitit 2016, kemi realizuar rreth 100 projekte të ndryshme si rregullim të ujësjellësve, rregullim të rrjeteve të kanalizimeve, asfaltime të rrugëve, ndërtimin dhe renovimin e shkollave të ndryshme, rregullimin e fushave sportive, renovimin e rrugëve të arave si dhe projekte tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, kulturës, sportit, arsimit, shëndetësisë etj.
“Për këtë janë dëshmitarë edhe vetë banorët e lokaliteteve të cilët janë prezent këtu pasi në gjitha këto fshatra kemi investuar në asfaltimin e rrugëve kryesore siç ishte ajo Sllatinë e Epërme –Pozheran, dhe rrugëve të lagjeve, renovimin dhe zgjerimin e hapësirave shkollore , rregullimin e trotuareve, ndriçimeve publike e shumë projekte tjera” , është shprehur kryetari Haliti.
Kryetari i Vitisë më këtë rast ka falënderuar Qeverinë e Kosovës si dhe Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë komunës në realizimin e projekteve të ndryshme në interes për qytetarët.
Kurse, zëvendës drejtori i Zyrës Zvicrane për Bashkëpunim në Kosovë z. Bernhard Soland, ka thënë se qeveria zvicerane është e interesuar që përmes ndihmës së drejtpërdrejtë në projekte të ndryshme të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë, dhe në këtë drejtim edhe ky projekt besojmë se do të ndikoi në jetën e përditshme të qytetarëve të këtyre lokaliteteve.
Ai ka shprehur bindjen se pas përurimit të këtij projekti, kompania Hidromorava do të merr në mbikëqyrje këtë rrjet të ujësjellësit , kurse qytetarët do të jenë të gatshëm që kryejnë obligimet e tyre për mirëmbajtje ndaj kësaj kompanie.
E, zv ministrja e zhvillimit ekonomik, Besa Zogaj –Gashi, ka thënë se në saje të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me komunat dhe donatorë të ndryshëm është punuar shumë në sektorin e ujërave dhe kanalizimeve “Në sektorin e ujit dhe kanalizimeve gjatë këtyre viteve ka pasur investime të konsiderueshme nga ana e Qeverisë së Kosovës, nga komunat si dhe donatorët e ndryshëm si Zyra Zvicrane për Bashkpunim në Kosovë, Banka Botërore, USAID, Banka Gjermane për Zhvillim, Qeveria e Kuksemburgut etj.”, ka thënë zëvendësministrja Gashi.
Ndërsa në emër të pesë fshatrave përfituese të këtij projekti Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik, është falënderuar kryetari i fshatit Sadovinë e Çerkezëve Fatmir Islami, i cili ka thënë se që nga sot banorët Sllatinës së Epërme Sllatinës së Poshtme, Sadovinës së Çerkezëve, Sadovinës së Jerlive dhe Tërstenikut, falë këtij projekti nuk do të kenë më nevojë që të udhëtojnë me dhjetëra kilometra për të siguruar ujë për pije, e nxënësit nuk do të kenë më nevojë që krahas librave me vete në shkollë të marrin edhe shishet me ujë.
Projekti i rrjetit të ujësjellësit për Sllatinë e Epërme, Sllatinë e Poshtme, Sadovinë e Çerkezëve, Sadovinë e Jerlive dhe Tërstenik kap shumën prej 746 mijë e 203 eurove, është realizuar falë një bashkëfinancimi të Komunës së Vitisë , Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë si dhe Qeverisë së Kosovë, ku 330 mijë e 203 euro janë mjete nga buxheti i komunës së Vitisë , 288 mijë euro janë ndarë nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë , si dhe 128 mijë euro nga Ministria për Zhvillim Ekonomik e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë , Sokol Haliti, pas përurimit të projektit të ujësjellësit në Sadovinë të Çerkezëve, në ambientet e komunës ka organizuar edhe një pritje për përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Zyrës Zvicrane për Bashkëpunim, Agjencisë Rajonale për Zhvillim Sektori Lindje, CDI-së etj. , me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në projekte të ndryshme edhe në të ardhmen. /2L ONLINE/