U përkujtua jeta dhe vepra e kongresistit amerikan Eliot Engel
Në nderim të veprimtarisë dhe kontributit të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel, në Viti sot u mbajt një Akademi Përkujtimore nën patronatin e kryetarit të komunës së Vitisë Sokol Haliti, në bashkëpunim me Shoqatën “Miqtë e Amerikës”, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, personalitete të jetës politike, shoqërore e kulturore, si dhe qytetarë të tjerë.
Kjo akademi u organizua në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e vazhdueshëm të kongresistit amerikan Eliot Engel në mbështetje të popullit shqiptar dhe të lirisë së Kosovës, duke qenë një nga zërat më të fuqishëm në Kongresin Amerikan për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës Sokol Haliti, vlerësoi rolin historik dhe kontributin e jashtëzakonshëm e kongresistit Engel në periudhat më të rëndësishme për Kosovën. “Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të kongresistit amerikan Eliot Engel, kujtojmë me respekt një mik të madh të shqiptarëve dhe një zë të fuqishëm në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të popullit tonë. Ne kujtojmë humbjen e një miku të madh të Kosovës. Një njeriu që besonte në drejtësi. Një njeriu që përdori pozitën dhe zërin e tij për të mbrojtur të pambrojturit. Një njeriu që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë. Në emër të popullit shqiptar dhe të gjithë atyre që e duan lirinë, themi sot me zemër plot mirënjohje Faleminderit, Eliot Engel. Faleminderit për besimin tek Kosova. Faleminderit që ishe pranë nesh kur kishim më së shumti nevojë duke mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë” tha kryetari Haliti. Ai më tej shtoi se emri i Eliot Engel do të mbetet i respektuar në historinë e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe në kujtesën e çdo shqiptari që çmon lirinë dhe drejtësinë. Kryetari Haliti, në këtë akademi përmendi iniciativën që do ti propozoj së shpejti Kuvendit Komunal, që kongresistin amerikan Eliot Engel ta shpall Qytetar Nderi të Vitisë. Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës” Agim Rexhepi i cili theksoi se Eliot Engel nuk ishte thjesht një mik, por një avokat i përkushtuar i çështjes shqiptare në zemër të politikës amerikane. Për dekada me radhë, ai ngriti zërin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, në Preshevë, në Maqedoni e kudo ku kishte padrejtësi.
“Me guxim dhe pa kompromis, ai kërkoi ndaljen e dhunës serbe, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe forcimin e miqësisë së përjetshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I qëndroi pranë popullit tonë në ditët më të errëta dhe u bë ndër figurat më të dashura për shqiptarët në të gjithë Ballkanin. Shpesh thoshte: “Kosova dhe populli shqiptar zënë një vend shumë të veçantë në zemrën time.” dhe e dëshmoi me vepra.
Trashëgimia e tij nuk matet vetëm me fjalë të fuqishme në Kongres, por me ndikimin e tij real në historinë tonë moderne”, tha mes tjerash Rexhepi. Një fjalë rasti mbajti edhe ish shefi i Zyrës së Kosovës në SHBA, Naim Dedushaji cili çmoi lartë figurën e kongresistit Engel, duke evokuar kujtime edhe për takimet që kanë pasur në të kaluarën. Ai rikujtoi se Eliot Engel deri në frymën e fundit, përmendi shqiptarët dhe Kosovën që dëshmon dashurinë e madhe që kishte për kombin shqiptar. Dedushaj e përshëndeti edhe iniciativën e kryetarit Haliti për të mbajtur akademi përkujtimore, e posaqërisht propozimin që së shpejti ta shpallë Vitia , Eliot Engel, qytetar nderi.
Ndër kontributet kryesore të mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel për Kosovën veçohen mbështetja e fuqishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, angazhimi i tij në Kongresin Amerikan për ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb, ngritja e vazhdueshme e çështjes së Kosovës në institucionet amerikane, përkrahja për popullin shqiptar gjatë luftës dhe pasluftës, kontributi në forcimin e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe vizitat dhe lidhjet e afërta me qytetarët dhe liderët shqiptarë
Folësit në këtë akademi theksuan se figura e Eliot Engel do të mbetet përherë e respektuar dhe e nderuar nga populli shqiptar për kontributin e tij të madh në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe shtetndërtimit. /2LONLINE/
