DYLON

U organizua me sukses edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”

U organizua me sukses edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”
Avatar photo Redaksia

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Drejtorisë për Kulturë të Komunës së Gjilanit, u organizua me sukses edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore për promovimin e talenteve të reja në Kosovë.

Festivali mblodhi rreth 100 konkurrentë të moshave të ndryshme nga 15 shtete të botës, si dhe mbi 200 mysafirë ndërkombëtarë, përfshirë anëtarë të jurisë, pedagogë, prindër dhe shoqërues. Gjatë ditëve të festivalit, Gjilani dhe Kosova u shndërruan në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit kulturor dhe artistik, duke mirëpritur pjesëmarrës nga Kazakistani, Indonezia, Italia, Malta, Rumania, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, San Marino, Polonia, Belgjika, Anglia, Turqia, Lituania dhe Kosova.

EkoHigjiena

Për shumë prej pjesëmarrësve, të cilët vizituan Kosovën për herë të parë, festivali përfaqësoi jo vetëm një garë artistike, por edhe një mundësi për të njohur nga afër mikpritjen, trashëgiminë kulturore dhe potencialin krijues të vendit tonë.

Mbrëmja finale u karakterizua nga interpretime të një niveli të lartë artistik dhe u përmbyll me ndarjen e çmimeve kryesore të festivalit. Çmimi Junior Grand Prix iu dha Sara Natalia Tirnoveanu nga Rumania, Teen Grand Prix iu dha Mireille McKay nga Malta, ndërsa çmimin kryesor Grand Prix – Absolute Winner e fitoi Giovanni D’Avanzo nga Italia.

Mbështetja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars” dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve për zhvillimin e jetës kulturore, promovimin e artistëve të rinj dhe fuqizimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.

Ngjarje të tilla jo vetëm që krijojnë mundësi për afirmimin e talenteve të reja, por edhe kontribuojnë në promovimin e Kosovës si një destinacion i rëndësishëm për organizimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore me karakter ndërkombëtar, duke forcuar imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare dhe duke nxitur bashkëpunime të reja në fushën e kulturës. /2LONLINE/