Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Qendra e Integritetit të Norvegjisë nënshkruan protokoll të qëllimit për Ndërtimin e Integritetit në Sektorin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes në Kosovë.
Ky projekt është pjesë më e gjerë në Ballkanin Perëndimor të financuar nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme, e ekzekutuar në periudhën 1 prill 2018, deri më 31 dhjetor 2020, ku Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë e ka emëruar CIDS si agjentin ekzekutiv për këtë projekt.
Nënshkrimin e protokollit e bënë, z. Per Age Christensen në emër të CIDS dhe në emër të MPB-së, Sekretari i Përgjithshëm, z. Lulzim Ejupi.
Me këtë rast Sekretari i Përgjithshëm z. Lulzim Ejupi falënderoi Mbretërinë e Norvegjisë për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar, në kuadër të projektit për ndërtimin e integritetit në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes, ku përfitues është edhe Ministria e Mbrojtjes.
“Integriteti dhe llogaridhënia janë një ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe funksionimit të administratës shtetërore, ku përmes tyre sigurohet dhe promovohet interesi publik kundrejt interesit apo përfitimeve private. Sektori i sigurisë, veçanërisht agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë rol kryesor në sistemin e integritetit”, theksoi Ejupi.
Sekretari Ejupi theksoi se Kosova është me fat që është përfitues i projektit të Qendrës së Integritetit të Sektorit të Mbrojtjes dhe bashkërisht do jemi në proces të realizimit të një aktiviteti mjaft të rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në fund Ejupi theksoi se projekti i Ndërtimit të Integritetit do të ndihmojë shtetet tona në procesin integrues në Bashkimin Evropian dhe në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të integritetit dhe llogaridhënies.
“Praktikat e Mbretërisë së Norvegjisë janë shembulli më i mirë për t’u ndjekur, andaj ne besojmë që përmes këtij projekti do të forcojmë integritetin e institucioneve të sigurisë dhe do të rritim në nivel të konsiderueshëm besueshmërinë e qytetarëve ndaj institucioneve”, theksoi Ejupi.
Me këtë projekt priten që të ketë efekte të planifikuara për shoqërinë që do të kenë ndikim në Ankorimin më të thellë të profesionalizmit dhe të barazisë gjinore në aranzhimet e përgjithshme organizative dhe menaxheriale të institucioneve të sigurisë dhe mekanizmi i përgjithshëm për ta promovuar integritetin dhe për t’i zvogëluar rreziqet e korrupsionit në institucionet e mbrojtjes dhe të sigurisë në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe efektive.
Pjesë e këtij projekti janë edhe shtetet si: Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja.