U mbajtën diskutime publik për Buxhetin në Smirë e Beguncë
/2L ONLINE/ – Në vazhdën e takimeve që po mbahen nëpër lokalitetet e komunës së Vitisë për planifikimin e buxhetit komunal 2016-2018, janë zhvilluar mbrëmë takime me banorët e fshatrave Smirë dhe Beguncë, ku edhe u paraqiten prioritetet për projektet e nevojshme në këto dy lokalitete nga këshilli i fshatit dhe vetë banorët.
Gjatë takimit me banorët e fshatit Smirë, zv.kryetari komunës Hasan Aliu theksoi se rëndësia e takimeve të tilla është se institucionet njihen më për së afërmi me kërkesat që dalin nga komuniteti dhe ato rishqyrtohen dhe përcaktohen si prioritete në projektimin e buxhetit komunal.
“Nëse planifikimi i buxhetit bëhet në bashkëpunim me komunitetin, konsiderojmë se është një ndarje e drejtë. Për këtë ne zhvillojmë takimet nëpër lokalitete dhe grupet e ndryshme dukë u njoftuar më kërkesat e juaja”, ka thënë Aliu.
Për planifikimin e buxhetit foli drejtori i Ekonomisë dhe Financave Ibrahim Rama, kurse për procedurat e aprovimit në Kuvend i njoftoi qytetarët e Smirës kryesuesi i Kuvendit Naim Pira. Prioritetet e fshatit Smirë, i paraqiti kryetari i këshillit të fshatit Afrim Salihu të cilat ishin identifikuar si nevojë nga banorët në takimin e këtij këshilli. Rrugëve si ajo “Jonuz Ramadani”, rruga e “Pllaninëve” dhe rruga e vjetër e Shkupit, u është dhënë prioritet nga banorët, ndërkohë që edhe rregullimi i trotuareve në dy rrugët, dhe mundësia e ndërtimin të Çerdhes së fëmijëve, shihet si e nevojshme për këtë lokalitet.
Drejtori i shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit” Xhavit Sahiti, paraqiti planin zhvillimor 3 vjeçar të shkollës me prioritetet e përcaktuara dhe u paraqitë si domosdoshmëri edhe meremetimi i tërësishëm i shkollës. Më pas takimi tjetër i paraparë për tu diskutuar planifikimi buxhetit është zhvendosur në Beguncë.
Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim duke prezantuar buxhetin komunal potencoi se vetëm 15.9% e buxhetit të kësaj komune janë të dedikuar për investime kapitale.
Ai tha se kjo shifër nuk është e kënaqshme por përmes donacioneve, investimet shkojnë në shuma milionëshe. Ndër tjerash ai ju ka bërë thirrje banorëve që të kryen obligimet e tatimit në pronë me qenë se përmes këtyre të hyrave komuna është sovrane dhe mjetet e grumbulluara do të ju kthehen në të mire të përbashkët.
Banorët e Beguncës i janë përgjigjur në mënyrë masovike diskutimit publik për planifikimin e buxhetit komunal. Ndërkaq Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti duke folur para këtyre banorëve ndër tjerash u shpreh se Institucionet Komunale të Vitisë janë të përkushtuar të punojnë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve pa dallime.
”Po punojmë pa reshtur në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve tanë pa dalluar asnjë lokalitet. Do të investojmë në të gjitha vendet ku është e nevojshme si në infrastrukturën rrugore, kanalizim, ujësjellës, trotuar por edhe shumë projekte të tjera. Këtë do ta bëjmë jo vetëm me mjetet që janë të dedikuara për investime kapitale por edhe përmes donacioneve të ndryshme” u shpreh Haliti.
Ndërkaq banorët e këtij lokaliteti mirëpritën projektin që ka nisur muaj më parë në ndërtimin e shkollës së re të fshatit, por njëherit kërkuan nga Institucionet Komunale që të sigurohet uji i pijes, të bëhet asfaltimi i rrugëve të lagjeve, të ndërtohet trotuari për gjatë rrugës Ramnishtë-Beguncë, si dhe të hapën rrugët që lidhin fshatin Beguncë me Lubishtën, por edhe rrugën tjetër që lidhë këtë fshat me Buzovikun.
Ndërkaq në çdo pyetje që kanë parashtruar banorët e këtyre lokaliteteve ata kanë marrë përgjigjeje nga përfaqësuesit e komunës së Vitisë. /2L ONLINE/
