U mbajt tryezë informuese për qasjen në drejtësi dhe ndihmë juridike falas

U mbajt tryezë informuese për qasjen në drejtësi dhe ndihmë juridike falas

Në Kamenicë, u mbajt një tryezë diskutimi, (fushatë informuese) me theks të veçantë, për të drejtën e qytetareve për qasje në drejtësi dhe ndihmë juridike falas, organizuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas me mbështetjen e programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), dhe Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë.

Drejtori I Agjencisë për ndihme Juridike falas, Ramadan Gashi, ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i fushatës informuese është të promovuarit e të drejtës së qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët, pa asnjë diskriminim. Ai ndër të tjera ka potencuar se kjo tryezë ka për qellim identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim midis akterëve me rëndësi si ai lokal po ashtu edhe ai qendror, me qellim të avancimit të mëtejmë të qasjes në drejtësi për qytetarët.

Ardian Latifaj, menaxher I projektit të UNDP-së, ka bërë të ditur se hapja e zyrës në objektin e Komunës së Kamenicës, do të ndihmojë dhe lehtësojë qytetarët e kësaj komune të kenë qasje për ndihme juridike falas me afër tyre. “Kjo zyre do të ndihmojë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësinë financiare për të ngritë shqetësimet e tyre ligjore dhe mundësitë janë që nëpërmjet zyrës në Kamenicë, qytetarët të përfitojnë ndihmë juridike falas”, ka thënë Latifaj.

Sadulla Salihu, zyrtar Rajonal I Ofrimit të Ndihmës Juridike Falas (ZRNJF), ka paraqitur disa statistika në regjionin e Gjilanit, për kërkesat e qytetarëve për ndihmë juridike falas. Ai ka inkurajuar zyrtaren komunale të Kamenicës, që të jetë e përkushtuar në ofrimin e ndihmës juridike falas për të gjithë qytetarët e kësaj komune pa dalim.

Sipas Salihut, Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas, veprimtarinë e tij e ushtron si organ i pavarur, përgjegjës për sigurimin e ndihmës juridike falas, në lëmitë civile, penale, administrative dhe kundërvajtës, për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilëve ju mohohet qasja ne drejtësi, për shkak të mungesës së mjeteve materiale dhe të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.

Debati ishte I frytshëm ku pjesëmarrësit e ftuar në këtë tryezë dhanë ndihmësen informative për të qenë kjo zyre sa me afër për ata qytetarë që kanë nevojë për ndihmë juridike falas. Pjesëmarrësit ishin të kënaqur me temën e trajnimit dhe theksuan rëndësinë e saj për të përmirësuar performancën e tyre për të dhënë shërbime cilësore.

Rexhep Hasani

KOMENTE