DYLON

U mbajt tryeza e rrumbullakët – Pakoja bazike e sigurimeve shëndetësore dhe shëndeti riprodhues

Avatar photo Redaksia

Organizuar nga Koalicioni i organizatave joqeveritare K-10 dhe mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara -UNFPA, Zyra në Kosovë, sot në Prishtinë u mbajt tryezë e rrumbullakët me temën: Pakoja bazike e sigurimeve shëndetësore dhe shëndeti riprodhues.
Kryeshefi Ekzekutiv i AFSH-së (UD), Arsim Qavdarbasha shpjegoi aspekte të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor në Kosovë.

Ai tha se zbatimi i Ligjit fillon me mbledhjen e premiumeve si hap i parë dhe se është koha që të fillohet me këtë hap, me që Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore. Pas shpjegimit të parimeve të LSSH, ai tha se të gjithë banorët në Republikën e Kosovës, duhet të kenë sigurim shëndetësor të obliguar.

EkoHigjiena

Në mënyrë specifike, duke ju referuar temës së takimit, dr. Qavdarbasha tha se Neni 7 i Ligjit e përcakton se pavarësisht statusit të siguruarit, shërbimet e garantuara shëndetësore janë: Shërbimet emergjente të kujdesit shëndetësor; shërbimet e kujdesit shëndetësor për fëmijët nën moshën 18 vjeçare nga Lista e shërbimeve të kujdesit themelor shëndetësor; shërbimet esenciale shëndetësore për shtatzënat dhe lehonat si dhe shërbimet e tjera esenciale të kujdesit shëndetësor të përcaktuara nga Fondi

“Pra, shërbimet do të ofrohen në pikën e shërbimit për t’u mbrojtur fëmijët, shtatzënat dhe lehonat pavarësisht çfarëdo ndikimi që mund të ketë në ligj”, shpjegoi ai.

Valbon Krasniqi, këshilltar i Ministrit Rrahmani ka shpjeguar masat e ndërmarra për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe reformën e shëndetësisë, si dhe përgatitjet e bëra të MSH-së me ministritë dhe agjensionet e tjera për fillimin e mbledhjes së premiumeve shëndetësore në janar 2017.

Ai përmendi tre benefitet e para që qytetarët do t’i ndiejnë pas fillimit të skemës së sigurimeve shëndetësore që janë:përmirësimi i furnizimit me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale e barnave për tre nivelet e kujdesit shëndetësor; rimbursimi i disa barnave jashtë spitalore dhe benefiti i tretë pagesa për kapitacion për Kujdesin Parësor Shëndetësor në bazë të performancës, duke e lidhur mjekun familjar me qytetarin.

Visare Mujko-Nimani (UNFPA) tha se shqetësimet e kësaj organizate janë se çka ndodh me sigurimin shëndetësor jashtë shtatzënësisë dhe lindjes si dhe procedurat për disa shërbime parandaluese, a do të përfshihen ato në pakon e shërbimeve bazike, etj. “Kur flasim specifikisht për mjetet kontraceptive, shumica e vendeve të BE-së i mbulojnë këto mjete, por ka dallime në mes të shteteve, me fokus në moshën adoleshente dhe grupet vulnerabile”, tha ajo.

Në këtë tryezë, me pikëpamjet e tyre rreth skemës së sigurimeve shëndetësore janë paraqitur edhe kryetari i FSSHK-së Blerim Syla dhe deputetja e Vetëvendosjes Besa Baftiu, të cilët janë shprehur në favor të shtyrjes së fillimit të sigurimeve shëndetësore.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave , Agim Krasniqi, tha se implementimi i ligjit ka fazat e saj dhe se Qeveria ka marrë obligim që ta mbajë buxhetin aktual dhe t’i shoh mundësitë edhe për rritjen e tij.

“Sistemi i sigurimeve shëndetësore duhet të mbikëqyret mirë dhe rreziqet ekzistojnë nëse fondet nuk menaxhohen mirë. Fondi duhet të implementohet brenda mundësive reale.Ne do ta përcjellim zhvillimin e fondit dhe zhvillimin e pakos bazike, e cila mendojmë se do të rritet pakoja në vazhdimësi. Asnjë sistem në botë nuk ka filluar me një pako të gjerë, bile pakot e para ka qenë përmirësimi i shërbimeve aktuale dhe pastaj zgjerimi i pakos ekzistuese…Kështu që më mirë është të fillohet duke i përmirësuar shërbimet aktuale me një pako që mund të mbulohet, për të vazhduar me zgjerimin e pakos”, tha ai.

Në tryezë nga perspektiva e konsumatorit ka kontribuar edhe përfaqësuesi i tyre z. Selatin Kaçaniku, përfaqësues të shoqatave që janë pjesë e K10 dhe profesionistë e menaxherë shëndetësor.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.