U mbajt takim i grupit punues për integrime evropiane
/2L ONLINE/ – Është mbajtur një takim i grupit punues komunal për integrime evropiane, me që rast është diskutuar për hapat e mëtutjeshëm dhe angazhimet e drejtorive, njësive dhe zyrave komunale në kryerjen e detyrave që kërkohen nga agjenda evropiane.
Koordinatori i këtij grupi punues Përparim Sadiku, ka prezantuar punën e Zyrës komunale për Integrime në Viti dhe ka theksuar nevojën e funksionalizimit sa më të madh të grupit punues në raportimin e punës në periudhat kohore që kërkohen. Ai po ashtu tha se qëllimi i takimit të sotëm të këtij grupi, është edhe funksionalizimi I formës së komunikimit në forma elektronike të agjendës evropiane si formë më e avancuar dhe e shpejtë.
Ndërsa zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, duke theksuar se pritet një punë e këtij grupi shumë të rëndësishëm, ka kërkuar angazhim, përgjegjësi dhe përkushtim në performancën sa më të mirë në fushat e caktuara nga drejtoritë, zyrat dhe përgjegjësit e njësive komunale.
Flamur Zeqiri këshilltar i UNDP-KFOS, është shprehur se procesi i punës së deritanishme dhe puna na vazhdimësi e asistencës, është përcjellë me arritje rrjedhimisht kemi një asistencë më të avancuar.
“Zyra komunale për Integrime është më efektive dhe më efikase në përmbushjen e aspektit ligjor që është si domosdoshmëri dhe në përputhje me rregulloret e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe në aspektin tjetër është më produktive në përmbushjen e obligimeve që dalin nga plani i veprimit të marrëveshjes së stabilizim asocimit që ka disa kritere të cilat janë kriteret politike, ekonomike dhe standardet evropiane”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka thënë gjithashtu se ky progres është bazuar në punën sistematike të të gjitha palëve që janë të përfshira e sidomos të kryetarit të komunës i cili e ka mbështet Zyrën komunale për Integrime për ta zhvilluar dhe ka mbështet gjitha drejtoritë tjera që ato të jenë në funksion të detyrave dhe përgjegjësive të veta.
Në këtë takim u kërkua që të gjitha të dhënat që raportohen nga zyrat komunale dhe drejtoritë, të jenë faktike e të sakta, por edhe raportimi të jetë në nivelin e përgjegjësisë. Me anëtarët e këtij grupi u debatua më pas për proceset në të ardhmen, vështirësitë me të cilat ballafaqohen dhe rritjen e bashkëpunimit mes Zyrës për Integrime Evropiane dhe zyrave komunale. /2L ONLINE/
