DYLON

U mbajt seancë solemne e Kuvendit për Ditën e Çlirimit

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal ka mbajtur sot një Seancë solemne e cila i ka paraprirë aktiviteteve të sotme që janë paraparë të bahen për Ditën e çlirimit të komunës së Vitisë. Me rastin e kësaj dite, janë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve, si dhe janë vu kurora lulesh nga përfaqësues të institucioneve komunale, subjektet politike, Organizatat e dala nga lufta, Institucionet tjera, policia, gjykata, QKMF-ja, familjet e dëshmorëve etj.

Në seancën solemne të kryesuar nga kryetari I Kuvendit Naim Pira, ishin të pranishëm përpos këshilltarëve edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike, institucioneve tjera, përfaqësues të organizatave e shoqatave si dhe qytetarë të tjerë.

EkoHigjiena

Fjalën e rastit e mbajti kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, I cili ndër të tjerash tha se 14 Qershori i vitit 1999 ishte dita kur qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm nga dhuna dhe agresioni pushtues serb, si dhe ishte dita kur qytetaret e Komunës sonë pas përpjekjeve gati shekullore e realizuan aspiratën e vet nacionale për liri e demokraci.

“Në këtë ditë të lavdishme, duke kujtuar të kaluarën dhe historinë, ne ia kujtojmë vetës obligimet që kemi ndaj të gjithë atyre që ranë, u sakrifikuan dhe kontribuuan për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, në këtë ditë të rëndësishme, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se obligohemi para brezave të ardhshëm që të punojmë dhe ta ndërtojmë një vend prosperues, i cili do të jetë atdheu i sigurt i qytetarëve tanë” ka thënë Haliti.

Sipas tij, populli i Kosovës dhe qytetarët tanë, për 10 vite me radhë, që kur pushteti serb uzurpoi, dëboi nga puna, persekutoi, vrau e u mundua të na gjunjëzoi, megjithatë ky popull tregoi se është i aftë të organizohet edhe në kushte robërie dhe duke krijuar një miqësi të fortë me miq e shtete qe vendosin për fatin e globit. Duke i organizuar institucionet relevante, duke organizuar edhe shkollimin pasi që objektet shkollore u mbyllën nga pushtuesi serb, e mandej duke organizuar edhe luftën e armatosur, u dëshmua se shqiptarët e duan lirinë dhe se nuk ka çmim që ata s’do të jenë të gatshëm ta paguajnë, për të arritur lirinë si vlerë universale më e çmuar e njerëzimit.

“Mbi këtë bazë, ne sot duhet të jemi shumëfish më të motivuar që të ndërtojmë shtetin tonë të ri, duke e bërë atë funksional e demokratik dhe vetëm në shërbim të popullit. Vetëm të kujtojmë periudhën e viteve nga demonstratat e 1981 e deri te lufta e fundit e lavdishme të UÇK-së, dhe ata mijëra djem e vajza më të mirët që pati atdheu, që me gjakun e tyre bënë që liria të vijë. Janë po këta djem e vajza që pasi u mishëruan me kushtrimin e komandantit Adem Jashari, para 16 vitesh u futën triumfalisht në qytetin tonë, duke hapur epokën e re për komunën tonë, epokën e lirisë, paqes dhe ndërtimit të përgjithshëm”, ka thënë kryetari Haliti.

Ai shtoi se në këtë ditë, secili nga ne e kujton NATO-në e cila pas një fushatë të bombardimeve arriti që në këtë ditë të vitit 1999, përfundimisht, së bashku me forcat tona, ta realizojë çlirimin e Kosovës, duke i obliguar forcat ushtarake policore e paramilitare serbe që ta lëshojnë Kosovën dhe duke i hapur dyert për popullin e përndjekur dhe të deportuar që të kthehen në vatrat e tyre.

“Për këtë gjë populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës miqve të saj të shumtë, në krye me shtetet e Bashkuara të Amerikës , të cilët ndihmuan që ëndrra e lirisë dhe pavarësisë të bëhet duke ndërtuar dhe realizuar një shtet të tipit demokratik, evropian dhe perëndimor, me synime reale për t’u anëtarësuar në strukturat politike e ekonomike të Bashkimit Evropian, që të jetë pjesë e NATO-s, dhe siç thoshte themeluesi historik i shtetit të Kosovës dr Ibrahim Rugova, “duke synuar marrëdhënie permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryetari Haliti. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.