U mbajt seanca e pestë e Kuvendit Komunal të Vitisë

U mbajt seanca e pestë e Kuvendit Komunal të Vitisë

Është mbajtur sot mbledhja e pestë e rregullt e Kuvendit Komunal, në të cilën është diskutuar për disa çështje, si propozim vendimi për rishikimin e buxhetit për vitin 2017.

Fillimisht këshilltarët komunal kanë paraqitur shqetësimet dhe parashtruar pyetje për disa çështje, ndërkohë që këshilltari Adnan Ymeri ka njoftuar Kuvendin se ai nuk është më në përbërje të këshilltarëve të LDK-së por do të jetë i pavarur.

Lidhur me propozim vendimin për rishikimin e buxhetit për vitin 2017, drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama tha se ky rishikim ka për bazë kërkesat dhe nevojat, kurse buxheti si i tillë do të jetë i njëjtë, vetëm se do të ketë ndryshime përbrenda në kodet buxhetore.

“Ky rishikim është bërë në afatet ligjore dhe përshtatet për ekzekutim, andaj si i tillë mund edhe të marrë aprovimin e këshilltarëve”, tha Rama.

Në seancën e sotme të Kuvendit komunal, këshilltarët u informuan lidhur me mbarëvajtjen e manifestimit “Flakadani i Karadakut”, u dha një informatë mbi përgatitjet për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin veror, si dhe një informatë mbi punën e komiteteve funksionale ku ndër tjerash kryesuesi Naim Pira, bëri me dije se ai ka marrë pjesë në prezantimin e Raportit të funksionimit të Komunave dhe shtoi se aty komuna e Vitisë, konkretisht trupat e kuvendit komunal vlerësohen si relativisht të mira në krahasim me komunat tjera të Kosovës.

KOMENTE