U mbajt seanca e 9-të e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë
/2L ONLINE/ – Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e 9-të të rregullt. Me këtë rast është diskutuar dhe votuar me shumicë votash rreth propozim vendimit për dhënin e pëlqimit kompanisë private “Bleta SHPK” për hulumtimin dhe shfrytëzimin në fushën e gjeologjisë.
Po ashtu me shumicë votash është votuar edhe propozim rregullorja për hapjen e kutive të ankesave . Ndërkaq Zyra e Prokurimit Publik të Vitisë, me kërkesë të këshilltarëve të kuvendit ka paraqitur një informatë lidhur me kontratat e nënshkruara nga kjo zyre për periudhën janar-shtator të këtij viti.
Gjatë kësaj seance me theks të veçantë është biseduar rreth propozim vendimit për dhënien e pëlqimit kompanisë private “Bleta SHPK” për hulumtim dhe shfrytëzim në fushën gjeologjisë.
Ibrahim Rama, Drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim potencoi se kompania private “Bleta SHPK” ka kërkuar që të marrë pëlqimin e Kuvendit Komunal të Vitisë me qëllim më pas të zhvilloj procedurat për hulumtim dhe shfrytëzim në fushën e gjeologjisë në organet tjera dhe atë për parcelën 211-1 që gjendet në zonën kadastarle të Devajës.
Sipas nenit tre të këtij propozim vendimi, pëlqimi i dhënë nga Kuvendi Komunal i Vitisë, do ti shërbej kompanisë private për marrjen e lejes për hulumtim dhe shfrytëzim gjeologjik në vendin e quajtur Visoça në fshatin Devajë.
Përndryshe kompania private “Bleta SHPK” me pronar Haqif Ibrahimi ka hartuar edhe një program të veçantë të hulumtimeve gjeologjike për trahite, leucite, andezite, brekçie etj.
Ndërkaq Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se Institucionet Komunale të Vitisë janë të detyruar që të krijojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e ambientit afarist dhe atë në kuadër të ligjeve dhe rregullave në fuqi.
Pas sugjerimeve të dhënë nga ana e këshilltarëve të Kuvendit Komunal dhe me përmirësime të gjitha pikat e parapara për votim janë votuar me shumicë votash. /2L ONLINE/
