(2LONLINE) – Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC , në kuadër të projektit “Qytetarët aktiv – komuna të përgjegjshme dhe transparente” të mbështetur nga Olof Palme, ka mbajtur punëtori me zyrtarët komunal të Kamenicës , shoqërinë civile etj, me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe të krijimit të Komitetit Konsultativ për procesin e qytetarëve në vendimmarrje, në nivel lokal që nga faza e planifikimit të buxhetit komunal deri në implementimin e tij. Gjatë kësaj punëtorie Nora Susuri menaxhere e programit, prezantoi edhe një udhëzues për procesin e buxhetimit me pjesëmarrje, të përgatitur nga ATRC, si shembuj dhe rekomandime për komunat dhe organizatat e shoqërisë civile e qytetarët rreth aplikimit të buxhetimit me pjesëmarrje dhe përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, që nga faza e planifikimit të buxhetit komunal deri në implementimin e tij.
Fatmir Matoshi , nënkryetar i komunës së Kamenicës, falënderoi ATRC-në për identifikimin e nevojave të lokaliteteve të Kamenicës dhe u shpreh i gatshëm të bashkëpunoj edhe më tutje me gjithë sektorin e shoqërisë civile. “Vitin që shkoj janë zgjedhur përfaqësuesit e 27 këshillave lokale dhe Kryetari Sinani, që në fillim të mandatit ka mbajtur takimin e parë me ta, ndërsa kemi organizuar edhe tri takime në lokalitete të ndryshme të komunës. Gjatë pjesës së dytë të muajit prill do të mbajmë debatin e parë me qytetarët, dhe përgatitjet për këtë janë në vijim e sipër. Ne në parim e mbështesim themelimin e këtij komiteti dhe jemi shumë të interesuar që qeverisja jonë të jetë me qytetarin dhe në favor të tij” tha nënkryetari Matoshi.
Më tutje nënkryetari Matoshi foli edhe për transparencën komunale, ku sipas tij ,dyert janë të hapura për secilin, duke shprehur përkrahje dhe gatishmëri për të bashkëpunuar me ATRC, mediat dhe shoqërinë civile, për një komunë sa më transparente dhe për themelimin e komiteteve konsultative si urë lidhëse mes qytetarit dhe komunës. Në takim u debatua për identifikimin e nevojave të qytetarëve dhe të gjithë të pranishmit e mbështeten këtë iniciativë të ATRC –së për themelimin e komitetit konsultativ. “ Nga dy kërkesa që kemi pasur për qasje në dokumente zyrtare në të dy rastet përgjigjet pozitive janë dhënë brenda ditës, dhe kjo tregon gatishmërinë tonë për të qenë të hapur dhe transparentë” tha nënkryetari Matoshi.
Në debat kontribuuan edhe asamblistët, drejtorët komunal, zyrtarët e sektorëve të ndryshëm dhe përfaqësues të shoqërisë civile./2lonline/