U mbajt punëtori me temën “Anëtari im i Kuvendit Komunal”
/2L ONLINE/ – Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Vitisë si zyrtarët që merren me punët e Kuvendit kanë marrë sot pjesë në punëtorin me temën “Anëtari im i Kuvendit Komunal” i cili ka për qëllim ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e Kuvendit Komunal, si dhe nxitjen e një angazhimi më të lartë të anëtarëve të saj me publikun, përmes një komunikimi më të ngritur gjatë proceseve vendim marrëse dhe politike.
Përndryshe Komuna e Vitisë dhe ajo e Shtërpcës janë përzgjedhur pilot komuna për implementimin e këtij projekti.
Ulrich Biffar, Drejtori i OSBE-së për Regjionin e Gjilanit gjatë këtij takimi tha se Kuvendi Komunal i Vitisë në krye me Naim Pirën llogaritet ndër Kuvendet më të mira për punën e saj. Duke folur para të pranishëmve ai tha se Këshilltarët e Kuvendit Komunal të cilët janë zgjedhur drejtpërdrejtë me votë kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve ku potencoi se këshilltarët duhet të dinë se zgjedhësit kanë disa të drejta si në informim por edhe që përmes tyre të ngritët çështjet e ndryshme në Kuvend dhe trupat e saj.
Ai ndër tjerash tha se sa më i transparent të jetë një këshilltarë i kuvendit aq më i besueshëm do të jetë ai/ajo para qytetarëve.
Ndërkaq Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira falënderoj OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme që ky mision po i jep Kuvendit në Viti.
Ndër tjerash ai foli edhe për punën e Kuvendit Komunal të Vitisë dhe trupat e saj, komitetet konsultative të obligueshme dhe jo të obligueshme.
Kryesuesi Pira tha se gjatë vitit 2014 Kuvendi Komunal i Vitisë i ka aprovuar 38 vendime si dhe 11 rregullore si dhe sipas tij të gjitha vendimet e marra janë vlerësuar si ligjore nga MAPL-ja.
Gjatë këtij takimi është prezantuar edhe projekti “Anëtari im i Kuvendit Komunal” ku komuna e Vitisë dhe ajo e Shtërpcës janë përzgjedhur pilot komuna për implementimin e këtij projekti./2L ONLINE/
