U mbajt “Olimpiada Matematike e Gjilanit” – ja fituesit!

U mbajt “Olimpiada Matematike e Gjilanit” – ja fituesit!

Më 18.02.2017, në Gjilan u mbajt Olimpiada Matematike e Gjilanit – OMGJ 2017, për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII. Suksesi i treguar nga garuesit është mjaft i lakmueshëm. Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan Shqipe Kastrati -Haziri, me rastin e shpalljes solemne të fituesve të kësaj gare, tha se DKA në Gjilan do të shtojë përkrahjen e organizimeve të këtilla të dijes.

Olimpiada Matematike u mbajt në hapësirat e shkollës “Selami Hallaqi” në Gjilan, Shkollë kjo që po i ofron mikpritjen e saj më të mire, kësaj gare për vite me rradhë. Në OMGJ – 2017 morën pjesë rreth 70 pjesëmarrës. Kjo garë u mbajt sikur edhe herëve të tjera nën përkujdesjen e DKA-së në Gjilan. Përndryshe, OMGJ – 2017 është Olimpiada e IX Matematike e Gjilanit, për nxënësit klasave IX, X, XI dhe XII.

Olimpiadën e hapi Drejtoresha e DKA-së në Gjilan, Shqipe Kastrati-Haziri. Ajo, pas shpalljes solemne të rezultateve të OMGJ 2017, i uroi nxënësit pjesëmarrës dhe fituesit për suksesin e treguar, posaçërisht i përgëzoi edhe koordinatorin e OMGJ 2017, komisionet punese të olimpiadës për organizimin e përkryer, cilësor e korrekt të garës, organizim ky që ka si rrjedhojë edhe sukseset e nxësve tanë në vazhdimësi. .

Ajo tha se këta nxënës janë krenaria e Gjilanit dhe Kosovës dhe premtoi shtimin e përkrahjes për këtë garë dhe garat tjera të dijes në komunën e Gjilanit. Ajo, në shenjë përkrahje i ftoi fituesit në një pritje solemne në DKA për të mërkurën.

Me një fjalë rasti u paraqit edhe profesori universitar i matematikës dr.sc. Xhevdet Thaqi. Ai çmoi lartë punën që po bëhet permes kësaj gare. Ndërsa Festim Shkodra – koordinator i OMGJ 2017, iu tha garuesve se të gjithë që keni arritë deri këtu jeni fitues, por duhet të zgjedhim nga tre më të suksesshmit për të na përfaqësuar mëtej. Atyre iu dha porosia të punojnë në vazhdimësi dhe sukseset nuk do të ju mungojnë asnjëherë.

Organizimin e olimpiadës pos DKA-së, sivjet e përkrahën edhe kompanitë:,,Krasniqi”, “GanDizajn”, “DEA”, ,,RC Cola”, “SYRI Mobile House”, revista “PC World”, profesorët universitarë të matematikës: dr.sc. Musa Ajeti dhe dr. sc. Xhevat Krasniqi si dhe profesori në pension i historisë Fehmi Dalipi.

Në saje të kësaj përkrahje, u arrit që nxënësit më të mirë të shpërblehen me mirënjohje, medalje, komplete librash, revista, DVD me programe të ndryshme kompjuterike, kalkulatorë etj.

Me mirënjohje për pjesëmarrje u shpërblye edhe çdo nxënës pjesëmarrës. Pos nxënësve fitues, në shenjë mirënjohje për punën e tyre, do të shpërblehen me mirënjohje edhe mësimdhënësit e nxënësve fitues, të angazhuarit në komisione të ndryshme pune në olimpiadë, si dhe kontribuesit që ndihmuan mbarëvajtjen e kësaj olimpiade.

TV VALI edhe sivjet e regjistroi këtë ngjarje, punë kjo që po ndikon mjaft shumë në rritjen e interesimit të nxënësve për pjesëmarrje në olimpiadë dhe popullarizimin e matematikës në përgjithësi. Zhvillimin e olimpiadës edhe këtë here e përjetësoi në fotografi ,, Foto Fari”, studio kjo që u gjend gjithnjë në përkrahje të zhvillimeve pozitive në komunën e Gjilanit, me dhjetëra dekada me rradhë.

Shumë ish-fitues të këtyre garave kanë kryer dhe po kryejnë studimet në vend dhe jashtë me sukses të shkëlqyeshëm si dhe disa nga takanë filluar tashmë të japin kontributin e tyre, në vende të ndryshme të punës në Kosovë e jashtë.

Por këtë herë në kuadër të ekipeve punuese të olimpiadës, u angazhua edhe treshja e ish kampionëve-matematikanëve të rinjë gjilanas: Doruntina Sylejmani – e para që i solli Kosovës medalje nga Olimpiada Botërore e Matematikës), Dorlir Ahmeti – shqiptari i parë që iu pranua një detyrë në testet e Olimpiadës Botërore të Matematikës dhe Hamdi Dërvodeli fitues i një burse të qeverisë japoneze për studime master në Japoni.

Këta të rinjë i sollën frymë të re olimpiadës gjilanase, krahas punës së palodhshme edhe të anëtarëve tjerë të komisioneve punuese. Këta të rinjë i inkurajuan garuesit që të mësojnë dhe punojnë edhe më tepër, sepse edhe ata pikënisjen e paten pikërisht nga këto gara.

Vullneti i madh për punë i mësimdhënësve të matematikës të Komunës së Gjilanit si dhe etja për dije e nxënësve tanë, po bën që Gjilani të shquhet me rezultatet e arritura nga nxënësit përfaqësues të saj në vend e më gjerë. Sepse garat e vazhdueshme që po mbahen, me standarde mjaft të larta, po bëjnë që nxënësit tanë të kaliten në fushën e matematikës gjithnjë e më tepër.

Në këtë olimpiadë, ku morën pjesë nxënësit më të mirë në fushën e matematikës, të klasave IX, X, XI dhe XII nga të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit, 12 më të mirët u shpallën:

KLASA IX
1) BARDH OSMANI – SHMU ,,Musa Zajmi” – Gjilan
2) ANDI SEJDIU – SHMU ,,Sadulla Brestovci” – Gjilan
3) ALBIN URUQI – SHMU ,,Ibrahim Uruqi” – Bresalc

KLASA X
1) LAURORË JAHIU – Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan
2) DRILON MORINA – Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan
3) RIAR HAZIRI – Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan

KLASA XI
1) ENDRIT MUJI– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti”- Gjilan
2) LIRAK RUSHITI– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan
3) ERION BAJRAMI– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan

KLASA XII
1) NDRIÇIM RRAHMANI– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan
2) MUHAMED ZAHIRI– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan
3) URATA SADIKU– Gjimnazi Natyror ,,Xhavit Ahmeti” – Gjilan

Këta nxënës, fitues të OMGJ 2017, do ta përfaqësojnë Komunën e Gjilanit në Olimpiadën Matematike të Kosovës OMK 2017, që do të mbahet më 25.02.2017 në Banullë – Lipjan, nën organizimin e SHMK (Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës). Në OMK 2017, nxënësit që arrijnë të zënë vendin e I, II apo III, do të shpërblehen me medalje, mirënjohje dhe përkatësisht me 200, 150 dhe 100 euro.

Mirënjohje dhe të njëjtat shuma në të holla përkatësisht do t’iu ndahen edhe mësimdhënësve të nxënësve fitues në OMK 2017, si mirënjohje për punën e tyre të deritanishme dhe si shtytje për punë të mëtejme. Këto shpërblime i ndan SHMK permes donacioneve që merr për organizimin e kësaj ngjarje, ndërsa nxënësve të tjerë ju ndahen mirënjohje për pjesëmarrje.

Në OMK 2017 zgjedhen nga 5 më të mirët e secilës prej klasave (pra gjithsejt 20 nxënës), e pas disa javësh ata i nënshtrohen një gare të re, me detyra të njëjta për të gjithë. Në këtë garë finale zgjedhet ekipi i Kosovës, i përbërë prej 6 më të mirëve.

Ky ekip do të merr pjesë në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare – IMO 2017 të 58-tën me radhë, që sivjet mbahet më 12 -23 korrik 2017 në Rio de Janeiro, në Brazil. Kosova është ftuar të marrë pjesë në IMO 2015, me të drejta të plota për herë të shtatë. IMO është e barasvlershme për fushën e matematikës me Lojërat Olimpike Botërore.

Gjilani më parë, pos vendeve të para në nivel vendi dhe kombëtar, disa herë arriti të kishte përfaqësues nëpër Olimpiadat Matematike Botërore, prej nga edhe i sollën medaljen e parë Kosovës. Shpresojmë që edhe sivjet, matematikanët e rinj gjilanas, të arrijnë të fitojnë në OMK 2017 si dhe të bëhen pjesë e ekipit të Kosovës, që do të marrë pjesë në IMO 2017, në Brazil.

Ju dëshirojmë suksese të mëtejmë matematikanëve tanë të rinjë!

Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2017

KOMENTE