Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt. Gjatë kësaj mbledhje me theks të veçantë është folur për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në komunën e Vitisë.
Siguria në Komunën e Vitisë, është cilësuar si e qetë dhe stabile nga Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Agim Lipovica. Ai gjatë këtij takimi ka paraqitur edhe disa të dhëna për të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, e ndër to bëri me dije se në këtë komunë janë ulur rastet e vjedhjeve për 50%, janë ulur aksidentet e komunikacionit me fatalitet por janë rritur për 3% aksidentet me dëme materiale.
Ndër tjerash ai kërkoj nga qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë , duke u zotuar se rastet e bashkëpunimit do të trajtohen në fshehtësi. Lipovica tregoj se në Viti, ka pasur edhe 5 raste të konfiskimit të narkotikeve por fatmirësisht në sasi të vogël.
Kurse zv. kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, falënderoj mekanizmat e sigurisë për punën që po e bëjnë në këtë komunë dhe potencoi se Komuna e Vitisë, ka një bashkëpunim të mirë me ta.
Kurse Fatbardha Emini, Drejtoreshë për Arsim në Viti, kërkoi që Policia e Kosovës që të shton praninë e tyre për shkak të maturantëve.
Imri Emerrlahu, Koordinator i EVSB-së në Viti, përmendi disa shqetësime të përgjithshme që kanë të bëjnë me sigurinë.
Gjithashtu në këtë takim Adnan Zenuni, nga Këshilli Lokal i Sigurisë në Bashkësi për Viti, bëri me dije se ata janë përfitues të një donacioni me të cilën parashihet që në një nga shkollat e Vitisë të vendosën kamerat për sigurinë e nxënësve.