Nën organizimin e MDIS-it, është hapur sot konferenca ‘Gruaja në diasporë-digë e fuqishme kundër asimilimit’ në të cilën po marrin pjesë më shumë se 45 gra nga vende të ndryshme.
Konferencën e ka hapur zëvëndësministri i Diasporës Isni Kilaj.
Duke i përshëndetur mysafirët në emër të ministrit Gashi, Kilaj ka thënë se roli i gruas shqiptare në diasporë ka qenë vendimtar në ruajtjen e kulturës gjuhës dhe traditës ndër vite.
Ai ka theksuar se kjo është arsyeja kryesore pse Ministria e Diasporës u ka dhënë mbështetje të vazhdueshme grave në diapsorë.
Ndërsa drejtoresha e Divizionit për Kulturë në MDIS, Maliqe Hashani, ka thënë se agjenda e kësaj konference ka për qëllim të vë në pah, rolin e gruas shqiptare në botë.
Në konferencë po marrin pjesë figura të ndryshme që kanë dhënë kontribut të madh në fusha të ndryshme.
Temat kryesore që u trajtuan nga panelistet ishin:
• Vështirësitë kryesore, me të cilat ballafaqohet gruaja shqiptare në diasporë?
• Shkurorëzimet, dhuna në familje dhe dukuritë e tjera devijuese?
• Sa e si ndihmojnë gratë e suksesshme të diasporës organizimin e grave shqiptare në diasporë, emancipimin dhe integrimin e tyre ?
Roli i shoqatave të grave shqiptare në diasporë: organizimi i festave, argëtime çasti, apo organizimi i gruas shqiptare në të gjitha segmentet e jetës?
Konkludimi kryesor nga diskutimi ishte se gruaja shqiptare duhet ta marr vet në dorë fatin e saj dhe të ngre zërin në mbrojtje të kulturës traditës dhe gjuhës shqipe.
Konferenca “Gruaja në diasporë-digë e fuqishme kundër asimilimit” zgjat dy ditë, ndërsa në ditën e dytë do organizohet një shëtitje në pika turistike të Kosovës.