U mbajt debati publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029 të komunës së Vitisë
Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal të Vitisë mbajti debatin publik për Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) të Komunës së Vitisë për periudhën 2027–2029, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, bizneseve, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit.
Debati u udhëhoq nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, i cili fillimisht tregoi për rëndësinë që ka Korniza Afatmesme Buxhetore ne planifikimin e prioriteteve të qytetarëve.
Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029 e prezantoi drejtoresha për Buxhet dhe Financa, Milihate Ajeti, e cila paraqiti prioritetet, planifikimet financiare dhe orientimet kryesore të komunës për periudhën e ardhshme trevjeçare, duke theksuar rëndësinë e këtij dokumenti në planifikimin e investimeve dhe zhvillimit komunal.
Me këtë rast, zëvendëskryetari i Komunës, Hasan Aliu, shprehu pakënaqësinë për interesimin e ulët për pjesëmarrje në debat, veçanërisht nga anëtarët e Kuvendit Komunal dhe të Komitetit për Politikë e Financa si organizatorë. Ai vlerësoi se diskutimet publike për dokumente të rëndësishme strategjike, si Korniza Afatmesme Buxhetore, kërkojnë një angazhim më të madh të asamblistëve dhe qytetarëve, pasi përmes tyre krijohet mundësia që prioritetet dhe nevojat e komunitetit të reflektohen në planifikimin buxhetor të komunës.
Në përmbyllje të debatit, pjesëmarrësit parashtruan pyetje, komente dhe kërkesa lidhur me projektet komunale që pritet të realizohen në vitet e ardhshme, duke dhënë propozime për investime në fusha të ndryshme me interes për qytetarët e Komunës së Vitisë. /2LONLINE/
