/2L ONLINE/ – Në Viti është mbajtur sot një debat publik informues rreth zonës ekonomike në fshatin Budrikë të kësaj komune. Përfaqësuesit e kompanisë kontraktuese “Vizion Projekt” kanë prezantuar planin zhvillimor të kësaj zone, ndërkaq drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtje të Mjedisit Ajet Sallahu, ka theksuar rendësin që ka ky projekt për komunën e Vitisë, veçanërisht bizneset e kësaj komune.
Kurse përfaqësuesja e kompanisë “Vizion projekt” Jona Burrja, ka prezantuar skenarët e këtij plani, lidhur me analizën e gjendjes ekzistuese dhe propozimet për zhvillim të Zonës Ekonomike me Statusin e “Parkut Industrial”.
Ajo ka thënë se plani në tërësi është hartuar duke u bazuar në gjitha ligjet në fuqi, ndërkohë që ka detajuar në hollësi duke u nisur nga gjendja ekzistuese, përparësitë dhe mundësit e zhvillimit, dobësitë, si dhe kërcënimet nga vërshimet e mundshme.
Po ashtu janë prezantuar edhe sipërfaqet e dedikuara për industrinë, pavarësisht nga vendndodhja e tyre ku janë dhënë edhe karakteristikat e përbashkëta. “Nga të tre skenarët, ne kemi arritur që ti përmbledhim gjitha elementet më kryesore në skenarin përfundimtar që paraqet gjendjen më të detajuar dhe gjithëpërfshirës të komplet planit të zonës ekonomike në Budrik”, ka thënë Burrja.
Takimi për hartimin e planit të Zonës ekonomike, u organizua nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Viti , në mbështetje të kompanisë përgjegjëse “Vision Projekt” dhe kishte për qëllim njoftimin e qytetarëve, e ne veçanti bizneseve të interesuara për hapat që ka ndërmarrë komuna e Vitisë në bashkëpunim me kompaninë “Vision projekt”, rreth planit urban të zonës ekonomike në fshatin Budrikë, si dhe për mundësit që ofron kjo zonë për zhvillimin ekonomik./2L ONLINE/