DYLON

U mbajt debat për Planin e mobilitetit të qëndrueshëm urban në komunën e Vitisë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Është mbajtur sot debati publik me qytetarë, rreth draft planit të mobilitetit të qëndrueshëm urban në komunën e Vitisë, në të cilin është diskutuar rreth planit strategjik, që ka për qëllim përmirësimin dhe harmonizimin e nevojave për lëvizje për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Duke marrë parasysh rritjen e vrullshme të shkallës së motorizimit, infrastrukturën rrugore jo funksionale, sigurinë e pamjaftueshme për lëvizje të pa motorizuara dhe kushtet ambientale, atëherë zhvillimi i një plani të mobilitetit të qëndrueshëm urban është i domosdoshëm, u tha nga folësit në këtë debat.

EkoHigjiena

Zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, ka vlerësuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për komunën e Vitisë, nga i cili siq tha ai, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e kësaj komune.

“Duke u bazuar në partneritetin e Institucioneve komunale të Vitisë me Organizatën joqeveritare “Helvetas”, ne si qeveri komunale kemi filluar me angazhimin tonë duke formuar komisionin e grupit drejtues dhe atë të grupit punues. Mobiliteti si komponent është trajtuar edhe me Planin Zhvillimor Komunal e Urban që komuna e Vitisë i ka miratuar vite më parë nga ana e Kuvendit Komunal. Synojmë që Vitia të jetë qytet atraktiv, funksional dhe I qëndrueshëm. Qytet i cili siguron qasje të lirë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, qytet ku sheshet dhe rrugët janë vend takim dhe atraktive për banorët, me ambient të pastër dhe kushte të mira për një mjedis të shëndetshëm”, ka thënë Aliu.

Ndërsa Alban Sokoli anëtar i grupit punues, duke prezentuar draft planin e mobilitetit, ka njoftuar të pranishmit për punën që është bërë në sigurimin e informacioneve dhe të dhënave të sakta në terren, respektivisht rrugët e lokaliteteve të komunës së Vitisë. Në prezantim u paraqitën pikat me rrezik potencial në shkaktim të aksidenteve nëpër lokalitetet e ndryshme dhe vetë qytetin e Vitisë.

Si problem u paraqit edhe vend ndalja e autobusëve që në të shumtën e rasteve rritë rrezikun në rrugë për këmbësor por edhe për ngasësit, ndërkohë që sipas të dhënave të grupit punues, sipërfaqja e lëvizjes së këmbësorëve në qytetin e Vitisë është relativisht e kënaqshme.

Kurse sa i përket përdorimit të biçikletave, u tha se në komunën e Vitisë vetëm 1% shfrytëzojnë ato. Në pjesën e dytë të këtij debate, qytetarët por edhe nxënësit parashtruan pyetje nga më të ndryshmet rreth këtij draft plani.

Debati i sotëm, u organizua nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me projektin DEMOS. Në debat morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, përfaqësues te këshillave të fshatrave, komuniteti i biznesit, përfaqësues te shoqatës se transportit, mediat, student, nxënës dhe qytetar të tjerë./2L ONLINE/