DYLON
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”

U mbajt ceremonia përmbyllëse e klinikës “Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”

U mbajt ceremonia përmbyllëse e klinikës “Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”
Avatar photo Redaksia
Klinika ligjore organizohet nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe ka pasur për qëllim fuqizimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të fakulteteve përkatëse, në fushën e të drejtës ndërkombëtare të azilit, mbrojtjes së refugjatëve dhe personave pa shtetësi, duke kombinuar ligjëratat akademike me përvojën praktike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt ceremonia përmbyllëse e klinikës “Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”, e cila shënoi përfundimin e suksesshëm të një cikli të rëndësishëm të angazhimit akademik dhe praktik të studentëve në fushën e azilit, refugjatëve dhe pashtetësisë.

Klinika ligjore organizohet nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale të Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe ka pasur për qëllim fuqizimin e njohurive teorike dhe praktike të studentëve të fakulteteve përkatëse, në fushën e të drejtës ndërkombëtare të azilit, mbrojtjes së refugjatëve dhe personave pa shtetësi, duke kombinuar ligjëratat akademike me përvojën praktike nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

EkoHigjiena

Klinika u zhvillua me synim forcimin e njohurive profesionale dhe aftësive praktike të studentëve, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në këtë fushë me rëndësi të veçantë shoqërore dhe juridike.

Ceremonia u hap me fjalën hyrëse nga Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, Dekane e Fakultetit Juridik, e cila në emër të Rektorit të Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi përkushtimin e studentëve gjatë gjithë procesit të klinikës.

Ajo theksoi rëndësinë e klinikave juridike si një urë lidhëse ndërmjet teorisë dhe praktikës, duke mundësuar përgatitjen më të mirë profesionale të studentëve. Gjithashtu, ajo shprehu mirënjohje të veçantë për Prof. Dr. Dukagjin Leka për kontributin e tij si nismëtar i organizimit të klinikave.

Në vazhdim, fjalë rasti mbajti Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërdisiplinor në trajtimin e çështjeve të azilit dhe mbrojtjes sociale, duke theksuar rolin e studentëve në adresimin e sfidave shoqërore përmes qasjeve akademike dhe praktike.

Të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Merita Ahma, Zyrtare e Asociuar për Mbrojtje në UNHCR, e cila vlerësoi angazhimin e studentëve dhe theksoi rëndësinë e edukimit juridik në forcimin e sistemeve të mbrojtjes për azilkërkuesit, refugjatët dhe personat pa shtetësi. Ajo inkurajoi vazhdimin e iniciativave të tilla që kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

Fjalë përshëndetëse mbajti gjithashtu z. Memli Ymeri, përfaqësues i CRPK-së, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe rolin e organizatave në mbështetjen e proceseve që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe integrimin social.

Në këtë edicion të klinikës u certifikuan gjithsej 20 studentë, të cilët përfunduan me sukses programin dhe aktivitetet praktike të parapara. Në pjesën përmbyllëse, fjalë mbajtën edhe studentët Vaxhide Gagica dhe Besart Selimi, të cilët ndanë përvojat dhe përfitimet e tyre nga pjesëmarrja në klinikë, duke vlerësuar rëndësinë e saj për zhvillimin e tyre profesional.

Ceremonia përmbyllëse u finalizua me ndarjen e certifikatave për 20 studentët pjesëmarrës, duke shënuar përmbylljen e suksesshme të këtij edicioni dhe vazhdimësinë e angazhimeve të ngjashme akademike në të ardhmen. /2LONLINE/