U mbajt aktiviteti informues me nxënësit e shkollave të mesme të Vitisë “Amerika me Kosovën”
/2L ONLINE/ – Në ambientet e shkollës së mesme teknike profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, është mbajtur sot një aktivitet informues të titulluar “Amerika me Kosovën” , program ky i Ambasadës amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me institucionet tjera si Universiteti Amerikan në Kosovë, Ekipi për veprim dhe Siguri në Bashkësi, Policia në bashkësi, fondacioni IPKO, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Drejtësia dhe qytetarët, Inspektorati i policisë së Kosovës, Diplomacia publike dhe KFOR-i.
Në emër të nikoqirit të këtij aktiviteti, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti tha se ndihem mirë që si përfaqësues i qytetarëve të komunës sonë të jam në cilësinë e organizatorit të një evenimenti siç është ky i sotmi, në këtë projekt dhe punëtori të përbashkët ku jemi edhe përfitues të projektit amerikan “Amerika me Kosovën”.
“Ne si komunë e Vitisë kemi pasur fatin të jemi në sektorin e përgjegjësisë amerikane dhe në këtë kontest kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer si me ushtarët amerikan të KFOR-it, si me mekanizmat tjera relevant të shtetit amerikan që kanë vepruar në këtë pjesë. Andaj për këtë kontribut, falënderoj Ambasadën amerikane dhe popullin amerikan për ndihmën që na e ka ofrua edhe si qytetar të komunës së Vitisë, por edhe si Kosovë në përgjithësi. Edhe ashtu jemi në prag të ditës së falënderimeve amerikane që e kemi shndërruar në traditë shënimin e kësaj dite pasi që është festa e dytë me rëndësi e këtij shteti, pas ditës së pavarësisë. Ne me aktivitete do ta shënojmë këtë ditë edhe në Viti nesër, sa bashku me KFOR-in amerikan”, tha Haliti.
Ai në fjalën e tij ka folur edhe për ngjarjet e fundit në Francë, me që rast kërkoi edhe një minutë heshtje nga të pranishmit. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni është shprehur se rrallë herë I ka ndodhur të jetë i priveligjuar sikur sot, që t’iu drejtohet atyre që kanë mbi supe të ardhmen e vendit.
“Dua ta përgëzoj cilindo që ka dizajnuar programin e këtij aktiviteti, ngase temat e këtij projekti janë më se të qëlluara dhe të nevojshme për trajtim. Ekstremizmi i dhunshëm, terrorizmi, trafikimi me qenie njerëzore dhe krimi, janë çështje që mund të shndërrohen në kancer të një shoqërie. Prandaj, ju jini ata që mund ti thoni stop, duke bashkëpunuar mes vete dhe me policinë e Kosovës. Republika e Kosovës është bekuar që ka një polici profesionale dhe të përkushtuar për të vepruar me përgjegjshmëri. Nuk ka gjë më të shenjtë se të bashkëpunosh me policinë e vendit, sepse në atë mënyrë po ndihmon në sigurinë, zbatimin të ligjshmërisë dhe ruajtje të rendit” , ka thënë ministri Hyseni.
Ndërkaq në emër të Ambasadës amerikane ka folur Piter Resinger, element mbështetës civil-ushtarak në Ambasadën amerikane në Kosovë, i cili ka kërkuar që të bashkëpunohet mes vete, sepse vetëm në këtë mënyrë mundet e keqja. Si një shtet më I ri në botë, ju rinia jeni çelësi I të ardhmes së Kosovës, andaj ju duhet që të bashkëpunoni mes vete dhe të kontribuoni të mirës së vendit tuaj’, është shprehur Resinger.
Në kuadër të aktivitetit informues për të rinj të titulluar “Amerika me Kosovën”, janë shtjelluar temat: Luftimi I Ekstremizmit të dhunshëm, aktivitetet kriminale, promovimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike, raportimi I krimit, dhuna në familje, ndihma juridike falas, arsimimi dhe zhvillimi profesional, vetëdijesimi mbi mediat shoqërore. Në këtë aktivitet, pjesëmarrës ishin nxënësit e shkollës së mesme teknike professional “Jonuz Zejnullahu” dhe të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti./2L ONLINE/






