DYLON

U mbajt aktivitet përkujtimor për Ditën e Çlirimit me nxënësit e shkollave të Kamenicës

U mbajt aktivitet përkujtimor për Ditën e Çlirimit me nxënësit e shkollave të Kamenicës
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë organizoi një aktivitet të veçantë përkujtimor me nxënës, mësimdhënës, veteranë të luftës dhe qytetarë, me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të luftës çlirimtare.

Në fjalën hyrëse u theksua rëndësia e kujtesës historike dhe nevoja që brezat e rinj të njohin sakrificat e atyre që kontribuan për lirinë e vendit. Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë rrëfime dhe përjetime nga protagonistët e ngjarjeve historike, të cilët dhanë kontribut të çmuar në periudhat më të vështira për Kosovën.

EkoHigjiena

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Kllaiqi, tha se ky aktivitet po organizohet për herë të parë në kuadër të manifestimeve për Ditën e Çlirimit.

“Jemi të lumtur që nxënësit e shkollave tona janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për kontributin dhe sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë që ne e gëzojmë sot”, u shpreh ai.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, i cili foli për luftën e UÇK-së dhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës.

“Është e rëndësishme që vlerat e luftës të kultivohen nga gjeneratat e reja dhe mbi këto vlera të vazhdohet puna për zhvillimin e vendit”, theksoi Isufi.

Ndërkaq, kryetari i OVL-UÇK-së në Kamenicë, Milaim Limoni, foli për sakrificën e dëshmorëve dhe rëndësinë e njohjes së historisë nga brezat e rinj.

“Liria që gëzojmë sot nuk erdhi rastësisht. Ajo u fitua me mund, sakrifica dhe gjakun e dëshmorëve tanë. Detyra e brezit të ri është të ndërtojë Kosovën përmes dijes, kulturës dhe përgjegjësisë qytetare”, tha Limoni.

Programi artistik u pasurua me interpretime nga nxënësit e shkollave të Kamenicës. Nxënësja Elona Lipovica recitoi poezinë “Nëna” të Ismail Kadaresë, ndërsa nxënësja Miradie Arifi interpretoi poezinë “Tung Europë” të Ali Podrimjes. Gjithashtu, nxënësit e klasës së VIII-të dhe të IV-të shfaqën dramën “Pritja e nënlokes”, e cila u mirëprit nga të pranishmit.

Aktiviteti përfundoi me mesazhe mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuan për lirinë e Kosovës dhe me urimin për Ditën e Çlirimit, duke përcjellë tek brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të vlerave kombëtare. /2LONLINE/