U konstituua Legjislatura X e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu, ndërsa nënkryetarë Ardian Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Slavko Simiq dhe Emilia Rexhepi
Me zgjedhjen e kryetares dhe nënkryetarëve të Kuvendit, është konstituuar sot Legjislatura X e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Me 66 vota për, kryetare e Kuvendit u zgjodh deputetja Albulena Haxhiu (Vetëvendosje), ndërsa nënkryetarë Ardian Gola (Vetëvendosje), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK), Slavko Simiq (LS) dhe Emilia Rexhepi (komunitetet e tjera joserbe).
Seanca filloi punimet nën kryesimin e deputetit më të vjetër, Avni Dehari, shoqëruar nga deputetja më e re të kësaj legjislature, Fatma Taçi.
Në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Pasi u uroi deputetët për zgjedhjen e tyre, kryesuesi i seancës, Dehari, procedoi me rendin e ditës.
Në vijim u paraqitën propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë e përfaqësuara në Kuvend, propozuan nga një anëtar të këtij komisioni.
Pas mbledhjes së komisionit, Kuvendi miratoi raportin e paraqitur nga kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi.
Më pas, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhanë betimin.
Në vazhdim, konform rendit të ditës, u procedua me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për kryetare të Kuvendit propozoi deputeten Albulena Haxhiu. Në procedurë të hapur votimi, për kandidaturën e deputetes Haxhiu 66 deputetë votuan për, 44 ishin kundër, ndërsa 8 deputetë abstenuan.
Pasi konstatoi zgjedhjen e kryetares, kryesuesi Dehari ftoi znj. Haxhiu të marrë kryesimin e seancës.
Pas zgjedhjes, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mbajti një fjalë rasti para deputetëve, duke shprehur përkushtimin që besimin për ta marrë këtë post ta kthejë me punë të përditshme, transparencë e përkushtim të plotë.
Kryetarja e Kuvendit u zotua se detyrën e re do ta ushtrojë me paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional, duke shtuar se do të përpiqet që secili deputet ta gjejë hapësirën e vet me të njëjtin dinjitet e respekt.
“Sot e marr këtë detyrë më vetëdije të plotë me peshën kushtetuese që e mban. Këtë besim do ta nderoj me punë të përditshme, transparencë dhe përkushtim të plotë. Detyra ime do jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare. Do përpiqem që secili prej jush ta gjej hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe respekt, ngase një Kuvend funksional është parakusht për shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, theksoi kryetarja Haxhiu.
Gjatë fjalës së saj kryetarja e Kuvendit foli edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Hagë, duke potencuar se lufta e UÇK-së ka qenë e qartë dhe e drejtë, përderisa dihet që krimet janë kryer nga Serbia.
E para e Kuvendit theksoi se pret që këto orvatje të prokurorisë të marrin fund dhe ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më parë në Kosovë.
Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve, të cilët morën mbështetjen e 104 deputetëve, përderisa tre votuan kundër dhe gjashtë abstenuan.
Më këtë votim konstituohet Legjislatura X e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
