/2L ONLINE/ – A do të garojë apo jo Klubi i Basketbollit “Drita” nga Gjilani, këtë vit, në ETC SuperLigë, mbetet akoma e paqartë pasi ky klub vazhdon të ketë situatën e keqe financiare, ndërsa, sipas drejtuesve të klubit, ndihma e premtuar nga komuna jo që nuk po vije, por për më tepër kemi një injorim total, thonë ata. E të hënën është afati i fundit i kryerjes së obligimit ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Drejtori i skuadrës së Dritës, Fazli Fazliu, ka bërë të ditur për Portalin 2LONLINE.com, se kësaj here Klubi i Basketbollit Drita e sheh veten keq të injoruar dhe e anashkaluar nga Komuna, edhe atë pikërisht nga Kryetari Lutfi Haziri. Sipas Fazliut, kreu i komunës po shihet se nuk ka vullnet t’i ndihmon Klubit, Ai tha se kur Haziri kishte marr mandatin ishte zotua se do të bëjë më të mirën për Sportin e qytetit duke përfshirë këtu edhe klubin Drita, por se menjëherë filloi injorimi për këtë klub duke thënë se Komuna ka trashëguar borxhe dhe nuk janë në gjendje të mirë financiare.
“Neve nuk na interesojnë politikat e partive, por ne si klubi basketbollit na intereson sporti dhe basketbolli. Ne përkrahim çdo person që ka bagazh në Basketboll pa marr parasysh përkatësinë politike”, ka thënë Fazliu, për të shtuar se nuk e di pse po injorohen kështu nga i pari komunës.
Ai pranon se klubi po përballet me vështirësi dhe këtë po e rëndon edhe ky injorim i drejtuesve të komunës, nga të cilët po kërkohet veçse përmbushja e një zotimi. por se, siç shprehet Fazliu, do të mundohen të mos dorëzohen dhe të gjejnë një zgjidhje. Ndërkohë që ai ka falënderuar asamblistët që mbështetën me votën e tyre vendimin për t’u ndihmuar klubet, ku përfshihet edhe KB Drita, ani se nuk po ka zbatim në praktik edhe pse e hëna është afër dhe mund të mbesin jashtë garave po nuk u kryen obligimet ndaj Federatës..
Për gjendjen aktuale, Fazliu thotë se e kanë njoftuar të parin e komunës edhe përmes sms-ve, të cilave ai asnjëherë nuk iu është përgjigjur. Sa për Njësinë për Kulturë Rini e Sport, të mos flasim, për të është një zhgënjim total tek të gjithë, drejtuesit e klubit, lojtarët, publiku, bile kjo e fundit mund edhe të protestojë të hënën për këtë gjendje të krijuar.
Përndryshe, pritet paraditja e të hënës a do të sjellë reflektim të Komunës së Gjilanit, përkatësisht Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, që t’i deponojë parat e premtuara në konton e klubit, që pastaj të bëhet pagesa në Federatë.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit në një seancë të saj në fund të muajit maj të këtij viti kishte miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për subvencionimin e aktiviteteve të shoqatave dhe klubeve sportive. Klubi i Basketbollit Drita pret 10 mijë euro, sipas një vendimi të tillë. /2L ONLINE/