U inaugurua Qendra e Mjekësisë Familjare në Pozheran
/2L ONLINE/ – Me një solemnitet rasti sot në Pozheran të Vitisë është inauguruar Qendra e Mjekësisë Familjare, projekt ky i Ministrisë së Shëndetësisë dhe komunës së Vitisë. Në fjalën e tij, ministri Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës Imet Rrahmani tha se ndihet i privilegjuar që sot po merrë pjesë në këtë inaugurim, të këtij objekti që do të ngritë kapacitetet edhe më shumë të kujdesit parësor shëndetësor, e që do të rregullojë kushtet për punë të mjekëve,e nga ana tjetër të ofrojë shërbime me të mira qytetarëve të kësaj ane.
“Prania ime këtu, dëshmon se qeveria është e përkushtuar në zhvillimin e programit të saj qeverisës, një dëshmi se ministritë po punojnë përkundër pengesave të shumta, të pa arsyeshme dhe kërkesave të pa argumentuara të opozitës për pengimin e kësaj agjende zhvillimore dhe stabilizuese të Qeverisë së Kosovës. Forcimi i kujdesit parësor dhe implementimi i konceptit të mjekësisë familjare, është baza më e shëndoshë dhe më e fortë e ngritjes së një sistemi shëndetësor të mirë, i cili do të garantonte cilësi të lartë të shërbimeve shëndetësore me standarde të shteteve shumë të zhvilluara”, ka thënë ministri Rrahmani.
Ai po ashtu ka vlerësuar lartë klimën e bashkëpunimit tejet të mirë të ministrisë me komuna, duke veçuar bashkëpunimin me kryetarin e Vitisë në zhvillimin dhe realizimin e projekteve në fushën e shëndetësisë.
Kurse kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se lokaliteti më i madh i komunës së Vitisë, tani më ka një objekt shëndetësor me standard dhe kushte shumë të volitshme për punë, gjë që do të ndikoj në ofrimin e kushteve më të mira për personelin mjekësor që do të jetë në dispozicion në këtë qendër, por edhe do të ofrohen shërbime kualitative për qytetarët e Pozheranit me rrethinë.
“Unë jam I kënaqur që kjo qendër tani do të jetë funksionale në Pozheran. Por, jam I kënaqur edhe për faktin se kemi një personel shumë të mirë mjekësor që me kushtet e krijuara tani, do të mund të u ofrojnë shërbime shumë efikase banorëve të kësaj ane. Ne nuk do të largohemi nga investimet në sferën e shëndetësisë. Pasi kemi rregulluar repartin e Emergjencës në Viti muaj më parë, sot po inaugurojmë Qendrën e Mjekësisë familjare këtu në Pozheran, për të vazhduar bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë të rregullojmë ambulanten në Skifteraj, e për më pas edhe më punktet tjera shëndetësore nëpër lokalitete të komunës sonë”, ka thënë kryetari Haliti.
Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Naim Pira, është shprehur se premtimet e kryetarit Haliti, po realizohen. “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Pozheran ishte një premtim I kryetarit Haliti dhe kjo sot po bëhet realitet.
Po ashtu edhe parku në Pozheran është në përfundim e sipër dhe ky projekt pritet të finalizohet në javët në vazhdim, kështu që Pozherani në përgjithësi po merr një pamje tjetër, po kompletohet me infrastrukturë shëndetësore, rrugore etj”, ka thënë Pira.
Prerjen e shiritit në këtë inaugurim e bënë ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, kryetari Sokol Haliti dhe drejtori i Shëndetësisë në Viti Basri Aliu./2L ONLINE/

