/2L ONLINE/ – Është inauguruar sot projekti i rivitalizimit të shkollës fillore të mesme të ulët “Dëshmorët e 5 Prillit’, në Smirë, i financuar nga Fondacioni Kosovë-Luksemburg dhe Komuna e Vitisë.
Në solemnitetin ku ishin të pranishëm strukturat udhëheqëse të komunës, përfaqësues të Fondacionit Kosovë-Luksemburg, prindër, nxënës e personel i shkollës, kryetari Sokol Haliti është shprehur se komuna e Vitisë është e përkushtuar të krijojë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.
“Ne po angazhohemi që të punojmë për të krijuar kushte më të mira për fëmijët tanë. Jemi të vetëdijshëm se me arsimimin e brezave të rinj ky vend pa dyshim se do të ecë përpara. Amaneti i dëshmorëve të lirisë, nuk jetësohet me fjalë e me premtime, por me punë dhe përkushtim në arsimimin e brezave të ri. Edhe ky investim në shkollën që mbanë emrin e dëshmorëve të Smirës, është jetësim i amanetit të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Andaj, gjithë së bashku duhet të punojmë që të arrijmë rezultate të mira në të gjitha veprimtaritë“, tha kryetari Haliti.
Ai ka falënderuar edhe Fondacionin Kosovë-Luksemburg, për punën e mirë dhe ndihmesën që e ka dhënë në komunën e Vitisë për vite me radhë duke investuar në shumë sfera, si në arsim, bujqësi, infrastrukturë etj. Ndërsa drejtori shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit” Xhavit Sahiti, në emër të personelit dhe të gjithë nxënësve iu shprehu mirënjohje komunës e Vitisë dhe Fondacioni Kosovë-Luksemburg për projektin e rivitalizimit të këtij objekti shkollor.
” Ky projekt që po e inaugurojmë sot, do të na mundësoi kushte shumë të mira për punë. Është krijuar një ambient i ngrohtë për stinën e dimrit e i freskët për stinë n e verës. Një ambient shumë më i mirë për nxënës dhe sigurisht se kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies”, ka thënë Sahiti.
Me këtë rast ai ka falënderuar gjithë ata që kanë ndihmuar në realizimin e projektit të riviltalizimit të shkollës, si këshillin e fshatit, prindërit dhe gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme, që ky projekt të finalizohet në mënyrë sa më të mirë. Kurse përfaqësuesi i Fondacionit Kosovë-Luksemburg Florim Shabani, ka vlerësuar shumë bashkëpunimin me komunën e Vitisë, e gjithashtu edhe me drejtorin e arsimit, në projektet që janë realizuar deri më tani në sferën e arsimit në këtë komunë.
Njiherit ai ka shpreh falënderime edhe për qytetarët dhe Qeverinë e Luksemburgut që në vazhdimësi po financon projekte në Kosovë. Për përkushtim dhe mbështetje të projekteve në përmirësimin e kushteve të procesit edukativo arsimor, drejtoria e shkollës “Dëshmorët e 5 Prillit” ka nderuar me mirënjohje kryetarin e komunës Sokol Halitin, si dhe përfaqësuesin e Fondacionit Kosovë Luksemburg Florim Shabani.
Në kuadër të projektit për rivitalizim të objektit të shkollës, është bërë instalimi i rrjetit të ri elektrik, ndërrimi i kulmit, fasadimi brenda si dhe izolimi dhe fasadimi nga jashtë. Për të pranishmit është dhënë edhe një program artistik nga nxënësit e kësaj shkolle./2L ONLINE/