Fillimi i hapjes së një varreze masive në Qytetin Rashkë të Serbisë, një lokalitet kaherë i përmendur nga mediet dhe nga shoqatat humanitare, i pranuar para një viti zyrtarisht edhe nga autoritetet serbe, ngjallë shpresat e shumë familjarëve në Kosovë se me zhvarrosjen e të gjitha mbetjeve mortore në këtë lokalitet do të dihet edhe fati i shumë të dashurve të tyre, të cilët forcat serbe i vranë, masakruan dhe u përpoqën që t’i humbin në tërësi gjurmët e krimit.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili ka marrë pjesë në misionin e parë 5-ditor të hapjes së kësaj varreze masive në qytetin e Rashkës, ka thënë për “Kosova Sot” se aktualisht nuk mund të flitet për numrin e saktë të kufomave që mund të jenë në këtë varrezë masive, por bazuar edhe në deklaratën e zyrtarit serb Bruno Vekariq para tri vjetësh në këtë varrezë masive pritet të zhvarrosen rreth 250 apo më shumë mbetje mortore të viktimave që janë bartur aty nga ushtria dhe policia serbe.