U.D. Presidentja Haxhiu: Sulmi i 11 shtatorit ishte sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të 11 shtatorit, në SHBA.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se njëzetepesë vjet më parë, 11 shtatori nisi si një mëngjes krejt i zakonshëm.
“Kështu fillon edhe Raporti i Komisionit Hetimor amerikan për 11 shtatorin. E marta e 11 shtatorit 2001 agoi me mot të butë dhe me qiell të kthjellët në lindje të Shteteve të Bashkuara. Miliona njerëz po bëheshin gati për punë. Disa u nisën drejt Kullave Binjake në New York, të tjerë drejt Pentagonit. Njerëzit po zinin radhë për ta vizituar Shtëpinë e Bardhë. Presidenti George W. Bush kishte dalë për vrap herët në mëngjes. Në orën 8:46, aeroplani i parë e goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në Kosovë ora ishte14:46 pasdite. Vetëm dy minuta më vonë nisën transmetimet e para televizive me pamjet e Kullës Veriore në flakë. Derisa transmetimi vazhdonte drejtpërdrejt, në orën 9:03 sipas kohës së New Yorkut, aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, nga New Yorku deri në Prishtinë, njerëzit mbetën para ekraneve, duke parë të njëjtën tragjedi teksa ajo po ndodhte.
Ajo më tej tha se ai mëngjes amerikan, që kishte nisur me qiell të kthjellët e njerëz që shkonin në punë, në pak minuta u bë mëngjesi që e ndau kohën në para dhe pas 11 shtatorit.
“Në ato orë tmerri dhe kaosi, u pa edhe gatishmëria e njeriut për t’i dalë në ndihmë tjetrit pa pasur kohë të mendojë gjatë as për rrezikun, as për veten dhe as për pasojat. U pa te zjarrfikësit që hynin në ndërtesa derisa të tjerët përpiqeshin të dilnin, te policët dhe ekipet e shpëtimit, te pasagjerët që vendosën të vepronin dhe te njerëzit e zakonshëm që ndihmonin njëri tjetrin”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës por dhimbja, megjithatë, kaloi menjëherë kufijtë e saj, duke shtuar më tej, se në qytete anembanë botës njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe dërguan mesazhe ngushëllimi.
“Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan. Ndezën qirinj, u mblodhën në tubime e në marshe dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej “Amerikë, jemi me ty”, në shenjë solidariteti me popullin amerikan në atë ditë zie. Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm dy vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut në ditët më të vështira”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si tragjedinë e një vendi tjetër, një vendi të largët.
“Dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlera që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te Zyra Amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan, që tregonte sa afër e ndiente Kosova dhimbjen e Amerikës”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se njëzetepesë vjet pas 11 shtatorit, e kemi një brez që nuk e ka jetuar atë ditë, për të, 11 shtatori është histori e mësuar nga rrëfimet e atyre që e përjetuan, nga fotografitë dhe nga pamjet që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e botës.
“Kjo është edhe arsyeja pse, pas një çerek shekulli nuk mjafton vetëm t’i kujtojmë ata që humbën jetën. Duhet t’u tregojmë edhe atyre që erdhën më pas se çfarë ndodhi atë ditë, sa shpejt mund të prishet rrjedha e zakonshme e jetës, por edhe sa shumë mund të bëjë njeriu për njeriun në çastet më të rënda. Brezat e rinj duhet ta dinë edhe se solidariteti i atyre ditëve u kthye shpejt në veprim politik. NATO-ja, për herë të parë në historinë e saj, vuri në veprim nenin 5, sipas të cilit sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithëve”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu më tej tha se njëzetepesë vjet më vonë, kujtesa na kthen përsëri te ai mëngjes i kthjellët dhe te 2,977 njerëzit që nisën një ditë të zakonshme, por nuk u kthyen më në shtëpi, na kthen te familjet e tyre dhe te të gjithë ata që, mes zjarrit dhe kaosit, rrezikuan jetën për të shpëtuar jetën e dikujt tjetër.
“Kosova e ndjeu dhimbjen e saj atëherë dhe e ndan kujtimin e saj edhe sot, duke nderuar viktimat dhe duke ruajtur po atë afërsi që u dëshmua në ditët më të rënda për të dy vendet tona. I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 shtatorit”, ka thënëU.D. Presidentja Haxhiu. /2LONLINE/
