DYLON

U certifikuan 15 pjesëtarë të FSK-së, të trajnuar në fushën e shëndetit mendor

U certifikuan 15 pjesëtarë të FSK-së, të trajnuar në fushën e shëndetit mendor
Avatar photo Redaksia

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot u mbajt ceremonia e certifikimit të 15 pjesëtarëve të FSK-së, të cilët përfunduan trajnimin në fushën e shëndetit mendor.

Në ceremoninë përkatëse, përveç ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe drejtorit të Departamentit të Mjekësisë, kolonel dr.Xhevdet Tahiraj, ishin të pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, dr.Shaban Mecinaj si dhe ekipi profesional trajnues i klinikës përkatëse.

EkoHigjiena

Në fjalën e tij, ministri Mehaj theksoi se krijimi i kapaciteteve të profesionistëve të FSK-së për trajtimin e shëndetit mendor, sipas praktikave të ushtrive të vendeve të NATO-s, ka qenë prioritet i tij me fillimin e punës si ministër i Mbrojtjes.

Gjithashtu, ai vlerësoi se për ushtarakun profesionist, sa e rëndësishme është përgatitja profesionale ushtarake dhe shëndeti fizik, po aq i rëndësishëm është edhe shëndeti mendor.  “Ndër objektivat e mi, ndër të tjera, është zhvillimi dhe avancimi i politikave në funksion të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies së plotë dhe të përhershme të ushtarakëve tanë”, tha ministri Mehaj.

Ministri Mehaj falënderoi ministrin Vitia, dr. Krasniqi e dr. Mecinaj dhe stafin i tij nga Klinika e Psikiatrisë, për krijimin e kapacitetit të parë profesional të FSK-së në fushën përkatëse, duke shprehur interesimin që trajnimi përkatës të jetë modul standard në kuadër të doktrinës së FSK-së, për çka siguroi mbështetje të plotë nga ana e autoriteteve të pranishme shëndetësore.

Ai në fund uroi pjesëtarët e trajnuar duke i udhëzuar që njohuritë e fituara t’i bartin te njësitë dhe kolegët e tyre gjatë shërbimit të përditshëm, stërvitje si dhe operacione brenda dhe jashtë vendit.

Në fjalimet e tyre edhe ministri Vitia, gjeneral Rama, drejtori Krasniqi dhe kolonel Tahiraj, vlerësuan lartë idenë e ministrit Mehaj, të konkretizuar me sukses dhe shprehën pajtueshmërinë e plotë që bashkëpunimi i ndërsjellë, sikur edhe në fushat tjera, të vazhdojë edhe në të ardhmen. /2LONLINE.com/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.