DYLON

Tuana Bilalli, sportistja e shquar që mëton arritje maksimale

Tuana Bilalli, sportistja e shquar që mëton arritje maksimale
Avatar photo Redaksia

Stërvitje sistematike që nga mosha 5 vjeçare drejt realizimit të ëndrrës për shkëlqyer në rang botërorë.

Nga: Isak N. Bilalli

EkoHigjiena

Edhe këtë vit Federata e Karatesë së Kosovës FKK mori pjesë në garën më të madhe botërore që organizohet nga World Karate Federation WFK – Federata Botërore e Karatesë FBK “The 2025 Karate 1-Youth League- Liga e te Rinjve në Karate 2025” në Poreç të Kroacisë. Kësaj gare botërore i paraprinë eventet e organizuara po nga FBK ne Fujariah të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ai në Guadelejara të Spanjës të cilat i dhanë rëndësinë kulmore krye garës sportive në Kroaci.

Kosova u paraqit në këtë kompeticion ndërkombëtarë, me sportistët nga më të mirët në nivel kombëtarë të cilët ju bashkuan mbi 4000 garuesve nga 78 vende të ndryshme të botës.

Formacioni kombëtar i Kosovës në Karate po arrin dalëngadalë të jetë ekipi me rritje të lartë sa i përket përfaqësimit cilësor në këtë sport luftarak në nivel Evropian dhe bazuar në performancën e djelmoshave dhe vajzave Kosovare në këtë garë ndërkombëtare mund të thuhet që edhe në hartën botërore, Kosovaret kanë filluar te njihen si formacion me potencial të lartë.

Tuana Bilalli, është në mesin e atyre sportistëve që premton shumë, gjë që dëshmon përfaqësimi i saj në këtë nivel kompeticioni. Pjesëmarrja e saj këtë vit në grup moshat U14 shënon ngritje profesionale kualitative e cila në duelet e zhvilluara dëshmoi se ka shpirt luftarak të pamposhtur  por në të njëjtën kohë me ambicie të forta për t’u stolisur. Ne këtë konkurrencë me më të mirët e botës, Tuana dëshmoi se është e denjë dhe me kualitete të larta – pohon trajneri Shkëlzen Balaj, i cili shprehet jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e saj.

Tuana si dhe shumica e sportistëve në klubin e karatesë “Agim Ramadani” të Gjilanit dallohen për disipline dhe trajnim sistematik duke treguar gatishmëri për avancim dhe ngritje të vazhdueshme. Kur flasim për Tuanën, trajneri Balaj shprehet se ajo është një sportiste me intuite të pastër karateisteje tek e cila spikat, guximi.

Në garë me kundërshtaret e saja në Poreç, Tuana dëshmoi se din të përqendrojë forcat e saja në dëshirën vetëm për fitore dhe di si te arrij këtë objektiv, falë shkathtësive dhe shpejtësisë së saj në veprim por para se gjithash është guximi i saj për të sulmuar që e bën atë të veçantë.

Ajo ka guxim te pashoq dhe din saktësisht kur duhet të godas kundërshtarin.

Sipas Balajt, në dy duelet e fituara në këtë garë Tuana ishte bindshëm më e mirë se oponentët e saj dhe niveli i saj ishte tejet i lartë gjë qe e bënte për një moment të dukej sikur të ishte në një konkurrim lokal e jo ne duel te rangut botërorë. Dominimi i saj i plotë ishte rezultat i përgatitjes serioze, vullnetit të jashtëzakonshëm dhe krenarisë që tashmë përfaqëson reprezentacionin e Kosovës në këtë garë botërore.

Humbja e saj në raundin e tretë erdhi si pasojë e pabarazisë në gjatësi, sepse U14-ta rezervon të drejtën e dueleve të pabarabarta për shkak të faktorëve biologjik që në këtë rast nuk janë të kontrollueshëm. Përkundër kësaj disfate, Balaj shprehet tejet i kënaqur me Tuanën por dhe jo vetëm sepse në klubin e tij ka edhe disa sportiste të nivelit të saj, të cilët pritet që të përfaqësojnë Kosovën në garën sportive të fund vitit në Venecia të Italisë. Balaj shprehet i kënaqur jo vetëm me punën e klubit sportiv që drejton ai por edhe me punën e palodhshme që po e bëjnë koleget e tij në Gjilan me moshat e reja sepse tashme Gjilani në nivel kombëtarë është flamurtar i arritjeve në këtë sport.

Për fund ai shprehet entuziast dhe ndjehet i plotësuar që sporti i karatesë po zen vend meritor në Kosove dhe dalëngadalë bashkë me xhudon Kosova po identifikohet në nivel botërorë si komb i talentuar në këtë sport psikologjik që kërkon para së gjithash zgjuarsi, shkathtësi dhe përkushtim maksimal.

Tuana Bilalli është një nga emrat që shumë shpejt do të arrij majat në këtë sport. /2LONLINE/