Dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndara rreth rezultateve të kësaj marrëveshje, e cila është nënshkruar në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë vlerësuar se kjo marrëveshje ka dhënë rezultate konkrete në disa fusha, por përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare kanë shprehur skepticizmin e tyre, duke thënë se kjo marrëveshje po vazhdon ta dëmtojë sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar për “Epokën e re” se kur kihet parasysh historia e raporteve në mes të Kosovë dhe Serbisë, procesi i dialogut për dy vjet ka arritur mjaft rezultate. “Marrëveshja për Normalizim të Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë tash pas dy vjetësh mund të thuhet se ka arritur të japë kontribut në disa rrafshe. E para, ka të bëjë me kontributin për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh se historia e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve ka qenë një histori lufte. Prandaj, gjithnjë pas historive të tilla, proceset e normalizimi nuk janë të shpejta. Në këtë kontekst, mendoj se ka hapa përpara në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, duke përfshirë hapjen e zyrave diplomatike dhe vizitat e ndërsjella”, ka deklaruar Tahiri.
Një kontribut të madh kjo marrëveshje, sipas Tahirit, ka dhënë edhe në normalizimin e gjendjes në veri të vendit. “Rrafshi i dytë është kontributi për ta normalizuar gjendjen në veriun e Kosovës, ku janë shënuar përparime në fushën e sigurisë, duke i mbyllur strukturat paralele të policisë serbe dhe integrimin e tyre në Policinë e shtetit të Kosovës si dhe arritjen e marrëveshjes për shuarjen e së ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’. Një tjetër proces i rëndësishëm i normalizimit të gjendjes lidhet me funksionimin legal të katër komunave veriore, të cilat prej shpalljes së pas luftës kishin refuzuar të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuar nga shteti i Kosovë”, është shprehur ajo, duke shtuar se tanimë këto komuna janë integruar në sistemin e shtetit të Kosovës dhe funksionojnë me ligje të Kosovës.
Një fushë tjetër ku kjo marrëveshje ka dhënë rezultate konkrete, Tahiri e ka përmendur rrugëtimin e të dy shteteve drejt integrimit në BE dhe efektet që po jep marrëveshja për paqen dhe stabilitetin në rajon. “Kontributi tjetër i rëndësishëm i kësaj marrëveshje ka të bëjë me çështjen e mospengimit të të dyja shteteve në rrugën e integrimeve evropiane, meqenëse të dyja vendet janë shtete aspirante për t’u bërë anëtare të BE-së. Rrjedhimisht Kosova ka arritur të bëhet anëtare e organizatave rajonale shumë relevante”, ka deklaruar Tahiri. Më tutje, kryenegociatorja e delegacionit të Kosovës për dialog teknik ka përmendur edhe sfidat që ka hasur për këto vite kjo marrëveshje. “Sfidat kanë qenë më tepër të natyrës politike dhe kanë të bëjnë me atë që Serbia është ballafaquar me dilemat e saj rreth zbatimit të marrëveshjes, ani pse i ka nënshkruar marrëveshjet për normalizim. Në procesin e zbatimit të marrëveshjeve është vërejtur mungesa e vullnetit politik nga ana e Serbisë, tendenca për t’i zvarritur dhe për t’i shkelur marrëveshjet dhe për t’i interpretuar ndonjëherë edhe gabimisht. Mirëpo në përgjithësi si proces ka dhënë rezultate konkrete dhe presim që në të ardhmen zbatimi i marrëveshjeve të jetë i plotë dhe me një trend me të shpejtë”, ka deklaruar Tahiri.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=61895&Ctype=1