Tryezë Shkencore në përkujtim të Mulla Idriz Gjilanit – në 70 vjetorin e martirizimit

Tryezë Shkencore në përkujtim të Mulla Idriz Gjilanit – në 70 vjetorin e martirizimit

Manifestimi Shumëkulturor “Flaka e Janarit 2019” ka vazhduar këtë të shtunë me Tryezën Shkencore të Manifestimit “Mulla Idriz Gjilani – një figurë e pashembullt e qëndresës shqiptare” , në përkujtim të Mulla Idriz Gjilanit – në 70 vjetorin e martirizimit.

Në këtë simpozium janë paraqitur historianë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët me punimet e tyre shkencore kanë ndriçuar edhe më shumë figurën e Mulla Idriz Gjilanit.

Naim Musliu, kryetar i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, dega në Gjilan, i cili ka hapur tryezën, Mulla Idriz Gjilanin e ka cilësuar figurë të lartë shqiptare dhe ka rikujtuar që në emër të lidhjes ka kërkuar që këtij njeriu të madh t’i ngritet përmendorja në Gjilan.

Në emër të kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2019”, Shpresa Kurteshi – Emini, ka thënë se Gjilani po nderon heronjtë që nga Skënderbeu e deri te figurat më të vonshme të luftës për çlirim.

Isa Mullaidrizi, i biri i Mulla Idriz Gjilanit, ka evokuar kujtime për babain e tij, duke thënë se kjo është ditë e madhe për pasardhësit e Idriz Gjilanit, ditë rilindjeje, ditë e kujtimit të jetës dhe veprës së këtij atdhetari.

Isa Mullaidrizi ka rikujtuar fjalët e babait të tij, duke theksuar se “Kosova është tokë e shtrenjtë që askujt nuk ia kemi grabitur”.

Fillimisht, Sabile Keçmezi – Basha është paraqitur me kumtesën “Nënë Hatixhja-grua trime e Mulla Idrizit”, duke theksuar se bashkëshortja e Mulla Idrizit – Hatixhja edhe pse ka kaluar nëpër shumë vështirësi, ajo kurrë nuk u dorëzua, ajo edhe ishte arrestuar për t’u zbuluar vendndodhja e Mulla Idrizit.

Aliriza Selmani me punimin e tij ka sjellë disa të dhëna më pak të njohura për Mulla Idriz Gjilanin, të dhëna memoriale nga terreni, kurse për “Rrugëtimin e formacionit të Mulla Idrizit për çlirimin e Gjilanit” ka folur Blerim Haziri, derisa me një vështrim mbi “Sentencat e Idriz Gjilanit për atdheun, kombin dhe luftën” është paraqitur Fitim Rifati.

Nexhmedin Sejdiu është paraqitur me kumtesën “Personaliteti atdhetar i Mulla Idriz Gjilanit” e besnik Kurteshi me atë “Bashkëveprimtarët e Idriz Gjilanit 1943-1944″.

Tryeza Shkencore “Mulla Idriz Gjilani – një figurë e pashembullt e qëndresës shqiptare” është mbyllur me kumtesën e Avni Maliqit “Dekonspirimi dhe ekzekutimi i Idriz Gjilanit”.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Ilir Vokshi, anëtar i Këshillit Organizues, tha se organizatori kishte disa objektive që të argumentojë personalitetin atdhetar të Mulla Idriz Gjilanit, përpjekjet e tija për bashkim kombëtar, që të sillet faktologji që deri më sot nuk është ditur, fakte mbi sentencat, kombin e atdheun dhe që të lartësohet bashkëveprimi si dhe kontributi i Nënë Hatixhesë – grua trime e heroit.

Tryeza është drejtuar nga kryesia e punës Mr. Aliriza Selmani, Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha dhe Mr. Naim Musliu.

KOMENTE