Tryezë për mbështetjen e grave në ndërmarrësi dhe të bërit biznes

Tryezë për mbështetjen e grave në ndërmarrësi dhe të bërit biznes

Nën organizimin e OSBE-së dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, sot është mbajtur punëtori për masat specifike në arritjen e barazisë gjinore në Komunën e Gjilanit, konkretisht mbështetjen e grave në ndërmarrësi dhe në të bërit biznes, ku nga të pranishmit është thënë se ka ndryshime pozitive në avancimin e femrës, mirëpo mbetet ende shumë punë në këtë drejtim.

Të pranishëm në këtë punëtori ishin drejtor të drejtorive komunale, shefi i grupit më të madh politik në Kuvendin e Komunës, shoqëria civile dhe përfaqësuese të grave nga grupime të ndryshme.

Në fjalën e tij, drejtori i OSBE-së James Lyon, ka thënë se historikisht gruaja ka qenë shtylla kryesore e zhvillimit dhe ngritjes së familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Ai më tej ka potencuar angazhimin e vazhdueshëm të grave në kryerjen e punëve si në shtëpi poashtu edhe në angazhime të tjera të përditshme në institucione publike dhe private.

“Shoqëritë të cilat përkrahin ekonominë dhe zhvillimin e bazojnë në mbështetjen e duhur për gratë, janë shoqëri të cilat kanë nivel të lartë të kulturës, arsimit dhe njëkohësisht ato shoqëri që e mbështesin gruan në procese të ndryshme kanë edhe GDP-në më të lartë dhe problem më të vogëla sa i përket aspektit social. Kështu në këtë rrafsh, nëpër vende të tilla zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për punësime janë më të mëdha. Kosova ka kaluar faza të ndryshme nga paslufta, njëkohësisht edhe Gjilani, dhe ajo që mund të shohim janë hapat të cilët po ndërmerren gjithnjë e më fuqishëm në mbështetjen pozitive. Kjo edhe më tutje kërkon një përfaqësim më të denjë gjinor, në aspektin edhe kualitativ se çfarë përgjegjësi marrin femrat në shoqëri. Normalisht ka ende shumë punë për t’u bërë, por angazhimi duhet të jetë i vazhdueshëm”, ka thënë mes tjerash James.

E nga ana e tij drejtori për zhvillimin ekonomik, Agim Zuzaku, ka potencuar stimulimin që u bëhet grave në udhëheqjen e biznesit, trajnimet që bëhen për to, pastaj përshtatjen e politikave në favor të ngritjes së femrës dhe avancimit të saj kudo në Komunë, dhe kjo sipas tij është arritur falë përcaktimit të kryetarit Haziri në mbështetjen dhe orientimin e politikave zhvillimore në këtë drejtim duke vendosur gratë si pikë e rëndësishme në zhvillimet e Komunës.

Nga ana e tij drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka potencuar faktin që si drejtori dhe si Komunë, kanë aprovuar të gjitha kërkesat sa i përket subvencioneve dhe njëkohësisht ka një numër të konsiderueshëm të femrave në udhëheqjen e bizneseve në agrokulturë, që siç ka thënë ai, janë shembull të mirë të biznesit privat dhe korrektësi e përgjegjësi maksimale që bëhet në aspektin e zhvillimit sipas planifikimeve të qarta dhe afatgjate.

Ndryshe, projekti që është aktiv për momentin dhe i hapur për aplikim në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim edhe me qeverinë e Kosovës përmes projektit “WOW”, për trajnim dhe mundësi punësimi online Brenda dhe jashtë vendit. ​

KOMENTE