Tryezë për Javën Evropiane për Skrining të Kancerit të Qafës së Mitrës
Zëvendësministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Izet Sadiku sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët e organizuar nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), në kuadër të Javës Evropiane për Skrining të Kancerit të Qafës së Mitrës me temën: “Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet! Bëje PAP testin!”.
Zv.ministri Sadiku tha se MSh-ja është falënderuese ndaj të gjitha organizatave ndërkombëtare, për përkrahjen që janë duke i dhënë shëndetësisë në Kosovë, në të gjitha format e mundshme në këtë rast me organizimin e kësaj tryeze që për qëllim ka sensibilizimin e popullatës së përgjithshme, punëtorëve shëndetësorë dhe vendimmarrësve lidhur me kancerin e qafës së mitrës dhe mënyrës së parandalimit të tij.
MSh-ja është në fazën përfundimtare të përpilimit të pakos së shërbimeve shëndetësore, që qytetarët e vendit do t’i përfitojnë me Sigurimet Shëndetësore, dhe pjesë e saj do të jetë edhe analiza e PAP-testit”, tha zv.ministri Sadiku.
“MSh-ja në bazë të rekomandimeve që dalin nga kjo tryezë, do të angazhohet të bëjë një plan të veprimit për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje”, tha ai.
Dr. Zarife Miftari, Koordinatore për Shëndet Riprodhues UNFPA, tha se, organizimi i kësaj tryeze ka për qëllim të ngrisë njohuritë tek popullata e përgjithshme për përfitimin nga skrinigu cervikal dhe shfrytëzimin e shërbimeve ekzistuese për PAP test, te ofruesit e shërbimeve shëndetësore, në mënyrë që të kenë informata të sakta dhe më të përditësuara lidhur me skrinigun e kancerit cervikal, kështu që ata të mund të përgjigjen në pyetjet e pacientëve dhe t’i inkurajojnë ata që t’i nënshtrohen skriningut si dhe të politikbërësit, që të jenë të informuar për përfitimin nga skriningu cervikal dh etë kuptojnë rëndësie e prioritizmit të programeve për skrining.
Dr. Miftari ndër të tjera tha se UNFPA do të vazhdojë që të mbështesë Bordin Nacional për Kontroll të Kancerit, MSh-në dhe të gjitha drejtorit komunale shëndetësore të interesuara për inicimin e programit të skriningut, në bazë të Programit Nacional për Kontroll të kancerit 2014-2020.
Dr. Mirvete Paqarada, Drejtoreshë e Klinikës Obstetrike- Gjinekologjike-QKUK, tha se fokusi ynë duhet të jetë në vetëdijesimin e grave që me një vaksinim mund të parandalohet Kancerit të Qafës së Mitrës, po ashtu njëra prej metodave më të lehta dhe më të lira është edukimi i hershëm i popullatës për mbrojtje nga ky virus, duke filluar qysh në shkollimin fillor.
Në këtë tryez u tha edhe se Kanceri i qafës së mitrës paraqet problem serioz shëndetësor. Çdo vit në Evrope zbulohen përafërsisht 60.000 raste të kësaj sëmundje.
Ajo çka është shqetësuese është se sëmundja shfaqet ne moshë të re dhe paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë tek femrat e moshës 15 – 44 vjeçe.
Është me rendësi të dihet se pothuajse çdo rast i kancerit te qafës se mitrës mund të parandalohet duke iu nënshtruar skrining testeve.
Programet mirë të organizuara të skriningut mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Sot ekzistojnë edhe vaksina kundër infeksioneve të shkaktuara nga human papiloma viruset (HPV ) i cili është përgjegjës kryesor për paraqitjen e kancerit të mitrës.
