/Me rastin e përurimit të nesërm të romanit “Triumf dashurie” të shkrimtares Drita Fejza , në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00, ku do referojnë kritikët tanë të njohur, Prend Buzhala e Nexhat Rexha…
TRIUMFI NJERËZORES … ( Drita FEJZA: “TRIUMF DASHURIE”, Botues: Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, gusht 2015 ) /
Sabit Rrustemi
/2L ONLINE/ – Shkrimtarja e re dhe e talentuar, Drita Fejza, e cila gati qe dy decenie jeton, vepron dhe krijon në Berlin të Gjermanisë, para pak ditësh pasuroi letërsinë shqipe, edhe me një vepër të re. Romani i saj i parë, “Triumf dashurie”, vjen pas vëllimit poetik “Shpirti i arratisur” ( 2013) dhe novelës për fëmijë, “Melodia e pyllit” ( 2014 ) si prurja më serioze deri tash e kësaj autoreje por,edhe e prozës sonë.
Një familje shqiptare, e cila braktis Kosovën pa dëshirën e saj, pas çlirimit, vendos për t’u kthyer, si përmbushje e një amaneti po, edhe si rrjedhojë e një dashurie të pashtershme për vendlindjen. Kjo familje, në përpjekjet e saja për ta ndërtuar një jetë të re, në një vend të posa dalë nga lufta, ballafaqohet me të gjitha pasojat e një vendi që, sapo ka nis një frymëmarrje të shlirë në liri.
Epiqendër e zhvillimit të ngjarjeve në roman, është kryeqendra e Kosovës, Prishtina, kurse kryeprotagonistë janë Ana dhe Sajmiri, dy persona që përfaqësojnë brezin e ri të Kosovës, të cilët përpiqen pareshtur, secili nga fusha e vet, për ta ndihmuar vendin e tyre dhe njerëzit që kanë mbijetuar luftën dhe tash, mëtojnë për ta ndërtuar të ardhmen.
Raportet miqësore që krijohen mes Sajmirit e Anës, gradualisht shpiejnë pashmangshëm drejt një dashurie, si rezultat i njohjeve të ndërsjella po, edhe përputhjeve të ëndrrave , të cilat, pas shumë perpipetive, epilogun e kanë të suksesshëm.
Zhvillimet në roman, mes kryeprotagonistëve dhe njerëzve tjerë që i rrethojnë, herë pas here zhvendosen edhe në fshat po, edhe në Gjermani, atje ku ka jetuar një kohë familja e Anës.
Tërheq vëmendjen sidomos ambienti real i një lagjeje rome, ku Sajmiri e Ana përmes një organizate joqeveritare ndihmojnë këta të varfër por, edhe shpirti human i një romi, Baxhiut, i cili merr nën përkujdesje gjatë luftës një fëmijë shqiptar dhe, e rrit derisa prind/rit e tij, bashkohen sërish dhe e kthejnë në gjiun familjar djalin e tyre, Qëndrimin.
Po, edhe fati i Sajmirit, një fëmijë i rritur në jetimore, merr një rrjedhë interesante në përpjekjet e tija për t’i gjetur prindërit, të cilët dalin të jenë të besimit katolik. Megjithatë, dashuria e sinqertë e dy të rinjve, sfidon mentalitetet dhe paragjykimet e së kalauares…
Romani fiton në peshë edhe përmes një mbarështrimi artisitik të fateve të personazheve dhe sidomos të raporteve dhe intimiteteve që krijohen dhe zhvillohen natyrshëm mes dy të dashuruarve.
Por, edhe të pasqyrimit të drejtë dhe real të Kosovës së pasluftës, me të gjithë të mirat po, edhe të metat e saj. Qenësorja e këtij romani, është triumfi i njerëzores, ajo që mban jo vetëm kureshtjen e lexuesit por, edhe dashurinë për vendin po, edhe njeriun e saj. /2L ONLINE/