DYLON

Triptik poetiko-memorial

Triptik poetiko-memorial
Avatar photo Redaksia

Vështrim letrar
Shefqet Dibrani
Triptik poetiko-memorial

(Nexhat Rexha, “Dalja prej anatemës”, poezi e zgjedhur, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2021, faqe 116. ISBN 978-9951-760-38-6. Zgjedhjen dhe parathënien: Mehmetali Rexhepi).

EkoHigjiena

Në këtë triptik poetiko-memorial, të poetit Nexhat Rexha, janë përfshirë poezitë: “VETMIA NË KORNIZË”, dedikim Ali Podrimjes; “LULET NË KURORË”, kushtuar Fehime Selimit dhe poezia “HALLKË KUJTIMI”, kushtuar Qerim Arifit.

HYRJE

Vëllimi me poezi të zgjedhura “DALJA PREJ ANATEMËS”, nga Nexhat Rexha, është strukturë poetike mirë e realizuar. Të paktën si përpjekje për t’i seleksionuar e përzgjedhur motivet më të mira lirike nga ky poet. Brenda opusit të spërzgjedhur, qoftë si motiv por edhe si vlerë artistike, janë të përfshirë edhe tri poezi me përkushtim, Ali Podrimjes, Fehime Selimit dhe Qerim Arifit, të gjithë krijues letrar që nuk jetojnë më. Me këto tri poezi, unë e ndërtova një triptik lirik, më të lehtë dhe me mundësi të lehta për ta vlerësuar. Në poezinë shqipe, “figura e poetit”, nuk trajtohet vetëm si krijuesi i fjalës, por gjithnjë ka kuptimin e figurës letrare për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe shpirtit të kombit, duke mbjellur dashuri të përjetshme. Pra, triptiku poetik i Nexhat Rexhës, kushtuar Ali Podrimjes, Fehime Selimit dhe Qerim Arifit, është një akt poetik me vlerë humane, ku vargu është bërë monument, kurse poezitë vetë shndërrohen në një testamen të rrallë përkujtimi.

Poezitë, “Vetmia në kornizë”; “Lulet në kurorë” dhe “Hallkë kujtimi”, nuk janë vetëm elegji për figura dhe miqtë e poetit, por janë poezi të ndërgjegjes dhe humanizmit njerëzor, karshi harresës, dhe në anën tjetër poezitë kanë ringjallur kujtesën për bukurin e vargut të tyre. Secila poezi mund të kundrohet nga një dimension i veçantë i përjetimit dhe kundrimit të vet poetit. Sipas poezisë kushtuar Ali Podrimjes, figura e tij poetike i ka dhënë shpirt fjalës, së këndejmi edhe heshtjes, poetesha Fehime Selimi, shikohet si simbol i butësisë që guxoi në kohë të vështira të fliste, ndërsa Qerim Arifi, poeti që përsonfikohet si zëri i vendlindjes që nuk heshti kurrë përkundër dhunës dhe trajtimit jo të mirë.

Në këtë triptik, Nexhat Rexha, shfaqet jo vetëm si poet, por si një kronist i zellshëm, që si bleta që e mbledh nektarin lule më lule, poeti lidhë përmes poezisë hallkat e kujtesës. Poeti, në këtë vëllim nuk ka shkruar vetëm për poetët që nuk janë më fizikisht, poezia e tij na dedikohet neve që e lexojm me pasion. E gjitha është këshillë se jeta dhe arti janë të pandashëm, sikurse njerëzit e fjalës, çdo herë rikthehen në kujtesën e lexuesit sa herë iu kthehemi librave të tyre.
Poezia “Vetmia në kornizë” dedikuar Ali Podrimjes

VETMIA NË KORNIZË
(Ali Podrimjes)

Vrapimin mbi Drin e Çamëri
Nuk e kurseve
Lojën tinëzare sa bukur e theve
Në maje gjuhe fjalë tingëllore
Me thirrjet mëngjesore
Shpalosje ditën pa mbarim
Sa herë ke mundur jehonën
Në shuplakë të dorës
Për ta vrarë ujkun
E për t’ia prerë udhën maces së zezë
Në afërsi të kullës
Kur dashnorët tremben nga zezë-dita
Atëherë kur rrugët me torzo marshonin
Ali Podrimja kokrrës së grurit i dha kredo
Dhe folja iku me dhimbjen e bukur
Në qiellin e vendlindjes mrrolur
Dardania mbeti ëndërr e lakmive
E Ti flisje në gjuhën e dashurisë
Për të thënë se njeriu këtu
E do sa lindjen dhe vdekjen
Me hijen e tokës ruaje fillin testament
Ndër ne kënga zjarrminë shuan
Atë kohë kur Dardania digjej
Atëherë kur harrimi jetën e ndiqte
Lumi kur vjen përvajshëm
Loti shpon gurin e murin
Bashkë me çelësin nëpër Evropë
Korriku djeg valë-valë
Në Lodve frymëmarrje e fundit mbeti
Ama vargu thërret për vendlindje
Për ekspozitën e frikshme nën kornizë
Erdhe me kortezhin penë ndritur
Мё 26 korrik, 2012
Faqe, 68-69.

Poezia “Vetmia në kornizë” është homazh poetik që ngjallë emocione përjetuese. Ajo përçon ndjenjë dhe shprehë mungesë, natyrisht edhe dhimbje. Ali Podrimja ishte poet i vlerës që, edhe pas vdekjes, mbetet në kujtesën e miqëve dhe lexuesve të letërsisë. “Vrapimin mbi Drin e Çamëri/ Nuk e kurseve”, është varg që shpreh guximin e tij të pa epur, Ali Podrimja ishte përfaqësues i etnisë shqiptare, që nga Veriu deri në Jug, me një përkushtim të rrallë e të njejtë për tërë hapësirën etnike. Ndërkaq, në vargjet: “Me thirrjet mëngjesore/ Shpalosje ditën pa mbarim”; “Për ta vrarë ujkun/ E për t’ia prerë udhën maces së zezë” dhe vargu,”Ali Podrimja kokrrës së grurit i dha kredo/ Dhe folja iku me dhimbjen e bukur”, Nexhat Rexha i jep kuptim vargut me një thirrje të fuqishme që ndërthur simbolet si “ujku”, “macja e zezë”, “zeza-dita”, të cilat përfaqësojnë rreziqe të shumta. Ali Podrimja, në poezinë e tij këto simbole i sfidonte me artin krijues, luftonte veset dhe mërit, dhe gjithnjë jepte dritë dhe krijonte shpresë. Këto metafora e bëjnë këtë poezi me kuptim të jetës dhe të fjalës në kujtesën tonë. Në vargjet e fundit, poezia kushtuar Ali Podrimjes merr tone elegjiake që reflekton kujtesë për një shpirti të madh brenda një kornize të ftohtë, e shprehur si “vetmi në kornizë”, por brenda saj ndrit “penë e ndritur” e Ali Podrimjes, e cila vazhdon të jetojë.

Dedikimi, “Vetmia në kornizë”, është një poezi që ngërthen dhimbje për mungesën e poetit dhe krenarinë për veprën poetike që ka lënë pas. Me një fjalë, nëpërmjet gjuhës së pasur figurative, Nexhat Rexha, ka krijuar një poezi-monument që e nderon poetin Ali Podrimja, si zëri më emblematik i lirikës shqipe në Dardanisë.
Poezia “Lulet në kurorë” kushtuar poeteshës Fehime Selimi

LULET NË KURORË
(Fehime Selimit)

Ajo erdhi me lulet
Bashkë me aromën e pranverës
Për t’i dhënë blerimin
Stinës së vonuar
Ajo shtegtoi në korridorin
E Kosovës Lindore
Kur koha hante tinëzisht
Horizontin e skajeve të Preshevës
Kur vetmia mundi kafshimin
Me akullnajat mbi kulmet tona
Ëndrrat sërish numëronin dhimbjet
E krisma e vargut tënd pushtoi lotin
Për diellin kodrave të larta
E ti vije me fjalën e munguar
Me buzëqeshjen dashuri
Për të mundur mallkimin
Me tingëllimën “Fjala ime ka etje”
Kthesa feniks ri-zgjoi etjen
Për frymëmarrjen e lirë
Andej kah vijnë trokitjet e zemrës
Në përpëlitje atleti hapat peshoi
Për të ngul flamurin mbi pullaz
Me shpirtin e kthesave për lumturi
Dhe për t’ia marrë trishtimin luleve
Erdhe ti me “Lule në ethe”
Në prag të pranverës së madhe
Me buqetën e luleve të dashurisë
Për t’i vënë kurorë Dardanisë
Faqe,106-107.

Poezia “Lulet në kurorë”, kushtuar poeteshës Fehime Selimit, është një elegji – himn i figurës së shqiptares në Kosovën Lindore. Gjuha poetike ngjallë ndjenjë emocionale, Nexhat Rexha, ka arritur të ndërtojë portretin e një gruaje e cila me “buzëqeshjen dhe dashuri” dhe me “lulet në ethe”, emri dhe “Fjala e saj me etje”, sillte shpresë e dritë në një kohë dhe në një vend të trishtuar. Figura e Fehime Selimit ngjallte shpresë. Ajo ishte simboli universal i dashurisë dhe jetës, tamma siç e portretizon poeti: “Ajo erdhi me lulet/ Bashkë me aromën e pranverës”. Këtu, lulet dhe pranvera nuk janë vetëm simbol i natyrës, ato janë metaforë e shpresës që ringjallte sa ishte gjallë poetesha. Pa dyshim vdekja, e shndërron poeteshën në “Stinë e vonuar”, që është alegoria më e qëlluar për një vendi i cili ende e pret lirinë, në këtë rast, Kosova Lindore, përkatësisht komunat shqiptare, Preshevë, Bujanoci e Medvegjë, të lëna në harresë.
Edhe vargjet: “Kur koha hante tinëzisht/ Horizontin e skajeve të Preshevës”; “Kur vetmia mundi kafshimin/ Me akullnajat mbi kulmet tona”; “E ti vije me fjalën e munguar/ Me buzëqeshjen dashuri”; “Kthesa feniks ri-zgjoi etjen/ Për frymëmarrjen e lirë”; “Për t’i vënë kurorë Dardanisë”, jo vetëm si metafora që personifikon kohën, por janë edhe kritikë për heshtjen dhe harresën. Pastaj izolimi dhe vetmia janë emblemë poetike e Nexhat Rexhës, sikurse figura e feniksit, që shprehimisht është “simbol i ringjalljes”, e bëjnë poezinë më përjetuese duke dhënë shenjën e rizgjimit dhe të shpresës. Metafora e poezisë “Lulet në kurorë” është jo vetëm simbol dashurie, por kurorë nderimi për Dardaninë – Kosovën Lindore, me të cilat personifikohet portreti i poeteshës Fehime Selimi! Si e tillë, poezia “Lulet në kurorë”, është një kujtim lirik për poeteshën Fehime Selimin, sëkëndejmi edhe mirënjohje, që e ngre figurën e saj si heroinë e heshtur. Këtë e thonë fjalët e bukura të poetit Nexhat Rexha, duke e ndërlidhur simbolikën personale me idealin kombëtar, dhe duke e nderuar jo vetëm Fehime Selimin, por gjithë ata që luftojnë pa zhurmë për të ruajtur dritën në skajet e errësuara të kombit.

Poezia “Hallkë kujtimi” kushtuar poetit Qerim Arifi

HALLKË KUJTIMI
(Qerim Arifit)

Në brigjet e Preshevës
Dritën e vështroje kah lumi
Për t’i parë anijet e peshqve
Si bartin bimën e vendlindjes
Sa vargmale peshonin
Në ecjet tua poet
Në horizontin feniks
Me shkronjat e kujtimeve
Përtej zërit ke lidhur
Fate të skalitura
Në lapidarin e heroit të helmuar
Mashtrimet nuk pinin ujë
Në sofrën besnike
Aty ku rruga lidhte
Atdheun e tkurrur
Ligjëroje për hënën
E tretur andej bjeshkëve
Në syrin e kaltër shfletoje
Netët e pagjumë
Liria e jetës
Ngacmoi ngjyrën
Në fletoren e gjakut
Kah rrugët e femijërisë
Me erën e mallit
Fluturoje përtej Moravës
Në rrafshin e shinave
Kur sirena fishkëllente ikjen
Bloza e dridhjeve sa herët
Ngjyrën tënde mori
Në agun e Prishtinës
Për të “Mbyllur në urnë”
Struga në afërsi të liqenit
Frymëmarrjen e fundit ruan
Në vargun krizantemë
Hallkë loti pikoi buzë udhe
Faqe, 94-95.

Poezia e tretë e këtij triptiku, “Hallkë kujtimi”, i kushtohet poetit Qerim Arifit, është një gërshetim i meditimt filozofik dhe i kujtesës si ndjenjë humane. Nexhat Rexha, përmes kësaj poezie me përmallim, ka ndërtuar një portret artistik për poetin Qerim Arifi njëri nga poetët e rëndësishëm i Kosovës Lindore. Figura e poetit, nga këndvështrimi i poezisë është poliedrike, dhe si krijues e njeri, për kohën e tij ishte bartës i peshës historike. Këtë e thonë edhe vargjet me simbolikë dhe metafora të shumta: “Në brigjet e Preshevës/ Dritën e vështroje kah lumi”; “Sa vargmale peshonin/ Në ecjet tua poet”; “Fate të skalitura/ Në lapidarin e heroit të helmuar”; “Liria e jetës/ Ngacmoi ngjyrën/ Në fletoren e gjakut”; “Kur sirena fishkëllente ikjen”;“Struga në afërsi të liqenit/ Frymëmarrjen e fundit ruan”; dhe strofa e katër e poezisë të cilën po e ripërserisim këtu:

“Mashtrimet nuk pinin ujë
Në sofrën besnike
Aty ku rruga lidhte
Atdheun e tkurrur”

Duke përfshirë titullin e poezisë “Hallkë kujtimi”, që shpjegon mesazhin e poezisë, jeta e poetit Qerim Arifit, dhe veprat e tij, janë kujtime artistike dhe po aq humane, të dhuruara nga poeti Nexhat Rexha. Si e tillë, poezia “Hallkë kujtimi”, është një elegji lirike, që në thelbin e saj mbart një vlerë shpirtërore. Ky përkushtim emocional, është një formë e kujtesës përballë harresës, për një poet, për një mik të rrallë. Pa dyshim Qerim Arifi, do të mbetet një zë që do të dëgjohët, një frymë që udhëton përtej kufirit, pra, edhe përmes vargut dhe këtij kujtimi.

PËRMBYLLJE

Në këtë triptik poetik të Nexhat Rexhës, fjala e shkruar shndërrohet në një urë mes jetës dhe përtejjetës, në një tempull kujtese ku secili poet i përmendur: Ali Podrimja, Fehime Selimi dhe Qerim Arifi, rikthehen si portrete poetiko-memoriale, për fjalën e tyre që kurrë nuk do t’iu vdes! /2LONLINE/